NGA ARKIVAT TANË
I japin shtysë arsimimit global
«U rrita në një fermë në fshat»,—thotë Agostino që jeton në Brazil.—«Ishim shumë të varfër, ndaj m’u desh ta lija shkollën që të punoja për të mbajtur familjen.» Agostino filloi të mësonte të lexonte dhe të shkruante vetëm kur ishte 33 vjeç. «Kur mësova të lexoja dhe të shkruaja ndihesha më mirë dhe kisha më shumë respekt për veten»,—thotë ai.
Agostino është një prej më shumë se 250.000 njerëzve që Dëshmitarët e Jehovait i kanë ndihmuar të lexojnë dhe të shkruajnë këto 70 vitet e fundit. Pse e bëjnë Dëshmitarët e Jehovait një gjë të tillë? Si kanë nxjerrë njerëzit dobi nga ky arsimim?
Analfabetizmi pengon të mësuarit
Nga mesi i viteve 1930, Dëshmitarët e Jehovait predikonin në 115 vende. Për të prekur zemrën e njerëzve, misionarët përdorin fjalime nga Bibla të regjistruara që ishin përkthyer në gjuhën e tyre, dhe në disa raste ofronin literaturë në gjuhët vendëse. Edhe pse shumë njerëz tregonin mjaft interes për Biblën, për një pjesë të mirë të tyre analfabetizmi bëhej pengesë për të mësuar.
Ngaqë s’e lexonin dot vetë Biblën, e kishin të vështirë të mësonin të zbatonin parimet e Biblës. (Josiu 1:8; Psalmi 1:2, 3) Gjithashtu e kishin të vështirë të përmbushnin përgjegjësitë e krishtere. Për shembull, nëse prindërit s’dinin të lexonin, mezi arrinin t’u mësonin fëmijëve çfarë thotë Bibla. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Dhe Dëshmitarët që s’dinin të lexonin nuk do të arrinin ta përdornin aq mirë Biblën kur të mësonin të tjerët.
Një fushatë për të mësuar shkrim e lexim
Gjatë viteve 1940-1950, Nejthën Nori dhe Milton Hensheli, dy nga vëllezërit që merrnin drejtimin në organizatë, udhëtuan në vende të ndryshme për të ndihmuar me organizimin e veprës së predikimit. Në vendet ku kishte shumë që nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin, ata i inkurajuan zyrat e degëve të organizonin kurse nëpër kongregacione.
Zyrat e degëve u dërguan udhëzime kongregacioneve se si t’i bënin këto kurse. Në disa vende, qeveria kishte krijuar tashmë disa programe që mund të përdoreshin. Për shembull, në Brazil, qeveria i dha zyrës së degës disa pajisje dhe tekste, të cilat iu dërguan kongregacioneve. Ndërsa në disa vende të tjera, Dëshmitarëve iu desh ta hartonin vetë programin për të mësuar shkrim e lexim.
Në këto programe mund të merrnin pjesë burra, gra, të rinj dhe të moshuar. Synimi ishte që të gjithë të mësonin të lexonin në gjuhën e tyre—edhe nëse kjo përfshinte që brenda një kongregacioni të jepeshin kurse në disa gjuhë.
Një program që ndihmon njerëzit
Si kanë nxjerrë dobi shumë njerëz nga ky program arsimimi? Një Dëshmitare nga Meksika thotë: «Tani mund ta kuptoj Biblën dhe të më preket zemra. Fakti që di të lexoj, më ka ndihmuar të flas lirshëm me fqinjët dhe t’u tregoj më shumë njerëzve mesazhin e Biblës.»
Dobitë e këtij programi kanë qenë shumë më të mëdha sesa vetëm ndihma që u është dhënë njerëzve të kuptojnë Biblën. Isaku nga Burundi thotë: «Të mësoja të shkruaja dhe të lexoja më ndihmoi të fitoja aftësi në ndërtim. Ndërtimi është bërë karriera ime, dhe tani mbikëqyr projekte të mëdha.»
Jesusa nga Peruja ishte 49 vjeçe kur nisi të ndiqte këtë kurs. Ajo shprehet: «Ngaqë jam shtëpiake, më duhet të lexoj çmimet dhe emrat e ushqimeve që gjej në treg. Më përpara e kisha shumë të vështirë. Por tani, falë kursit, ndihem më e sigurt kur bëj pazar për familjen.»
Përgjatë viteve, zyrtarë nga vende të ndryshme i kanë lavdëruar Dëshmitarët e Jehovait për punën që kanë bërë për t’u mësuar njerëzve shkrim e lexim. Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë edhe sot të zhvillojnë kurse të tilla, duke përdorur programe e mjete që janë përmirësuar me kalimin e viteve. Ata kanë hartuar dhe shtypur rreth 224 milionë broshura në 720 gjuhë për të mësuar lexim ose për të ndihmuar njerëzit me arsimim të kufizuar. a
a Për shembull, broshura Të mësojmë lexim dhe shkrim është në dispozicion në 123 gjuhë dhe broshura Dëgjoje Perëndinë në 610 gjuhë.