Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Alergjia dhe intoleranca ushqimore—Ku ndryshojnë?

Alergjia dhe intoleranca ushqimore—Ku ndryshojnë?

Emilia: «Lashë pirunin dhe s’po ndihesha mirë. Filloi të më hante goja dhe të më trashej gjuha. Ndihesha e trullosur dhe mezi po merrja frymë. Te krahët dhe te qafa po më dilnin njolla të kuqe. U përpoqa të mos alarmohesha, ama e dija se duhej të nxitoja për në spital.»

SHUMICA e njerëzve kënaqen kur hanë. Megjithatë, ka të tjerë që janë të detyruar t’i konsiderojnë «armiq» disa ushqime. Ashtu si Emilia e përmendur më sipër, ata vuajnë nga alergjitë ushqimore. Reaksioni i rëndë alergjik i Emilisë quhet anafilaksi, një gjendje shumë e rrezikshme. Shyqyr që shumica e alergjive nga ushqimet nuk janë kaq të rrezikshme.

Vitet e fundit është rritur numri i njerëzve alergjikë dhe intolerantë ndaj ushqimit. Megjithatë, disa studime tregojnë se vetëm një numër i vogël i atyre që mendojnë se janë alergjikë nga ndonjë ushqim janë diagnostikuar vërtet.

Çfarë është alergjia nga ushqimet?

Një grup shkencëtarësh, drejtuar nga dr. Xhenifer Xh. Shnajdër Çejfëni, shkruan në një revistë: «Nuk ka një përkufizim të pranuar gjerësisht për alergjinë ushqimore.» (The Journal of the American Medical Association) Prapëseprapë, shumica e ekspertëve besojnë se reaksionet alergjike e kanë zanafillën kryesisht te sistemi imunitar.

Një reaksion alergjik nga një ushqim i caktuar zakonisht është reaksion nga një proteinë në atë ushqim. Sistemi imunitar e identifikon gabimisht atë proteinë si të dëmshme. Kur në trup hyn një proteinë specifike, sistemi imunitar mund të krijojë një lloj antitrupi të njohur si imonuglobulina E (IgE) për të neutralizuar substancën e huaj. Kur konsumojmë sërish të njëjtin alergjen ushqimor, antitrupat e krijuar më parë bëjnë që të lëshohen disa substanca kimike, përfshirë histaminën.

Në rrethana normale histamina është e dobishme për sistemin imunitar. Por, për arsye ende të paqarta, prania e antitrupave IgE dhe si pasojë prodhimi i histaminës provokojnë reaksion alergjik te njerëzit që janë tepër të ndjeshëm ndaj ndonjë proteine.

Ja pse herën e parë që ha një ushqim nuk dallon ndonjë reaksion të jashtëm, por herën tjetër që ha të njëjtin ushqim, të bën alergji.

Çfarë është intoleranca ushqimore?

Intoleranca ushqimore ashtu si alergjia ushqimore mund të jetë reaksion nga ndonjë ushqim. Por, ndryshe nga alergjia (e cila provokohet direkt nga sistemi imunitar), intoleranca lidhet me reagimin e sistemit tretës, prandaj nuk përfshihen antitrupat. Në fakt, dikush mund ta ketë të vështirë të tresë një ushqim për shkak të mungesës së enzimave ose për shkak të substancave kimike në ushqim që mezi treten. Për shembull, intoleranca nga laktoza ndodh kur aparati tretës nuk prodhon enzimat e nevojshme për të tretur llojin e sheqernave te produktet e qumështit.

Meqë nuk lidhet me antitrupat, intoleranca ushqimore mund të shfaqet që herën e parë që ha një ushqim. Faktori përcaktues mund të jetë sasia—një sasi e vogël ushqimi mund të jetë e tolerueshme por, problemi mund të shfaqet kur konsumohet sasi më e madhe. Kjo ndryshon nga alergjitë e rënda ushqimore në të cilat edhe një sasi fare e vogël ushqimi mund të shkaktojë reaksion vdekjeprurës.

Cilat janë simptomat?

Nëse ndonjë ushqim të bën alergji, mund të kesh kruajtje, njolla të kuqe në lëkurë, ënjtje të fytit, të syve ose të gjuhës; të përziera, të vjella ose diarre. Dhe, në rastin më të keq mund të kesh tension të ulët të gjakut, marrje mendsh, gjendje të fikëti e madje ndalim zemre. Një reaksion anafilaktik mund të përparojë shpejt e të jetë fatal.

Çdo ushqim mund të shkaktojë alergji. Gjithsesi, alergjitë ushqimore më të rënda zakonisht shkaktohen nga disa ushqime, si: qumështi, veza, peshku, krustacet, kikirikët, soja, frutat e thata dhe gruri. Një njeri mund të bëhet alergjik në çdo moshë. Studimet tregojnë se gjenet luajnë një rol të rëndësishëm, dhe se ka më shumë të ngjarë që fëmija të bëhet alergjik nëse njëri ose të dy prindërit janë alergjikë. Ama ndodh shpesh që fëmijët shërohen nga alergjitë kur rriten.

Simptomat e intolerancës ushqimore në përgjithësi janë më pak shqetësuese se ato të reaksioneve alergjike ekstreme. Intoleranca ushqimore mund të shkaktojë dhembje stomaku, fryrje, gazra, therje barku, dhembje koke, pulla të kuqe në lëkurë, lodhje ose siklet në trup. Ndër ushqimet që lidhen më shumë me intolerancën janë: bulmeti, gruri, gluteni, alkooli dhe majaja.

Diagnostikimi dhe mjekimi

Nëse mendon se vuan nga alergjia ushqimore ose intoleranca ushqimore mund të vizitohesh te mjeku specialist. Ndonjëherë është e dëmshme t’i përcaktosh vetë diagnozën a ushqimet që nuk duhet t’i hash, sepse pa dashje mund ta privosh trupin nga vlera ushqimore të nevojshme.

Nuk ka ndonjë mjekim të pranuar gjerësisht për alergjitë ushqimore të rënda, përveçse të shmangen plotësisht ushqimet që shkaktojnë alergji. * Nga ana tjetër, nëse ke alergji më të lehtë ose intolerancë ushqimore, mund të shohësh përmirësim thjesht duke i ngrënë më rrallë ose në sasi më të pakta disa ushqime. Por, në disa raste ata që kanë probleme të tilla, janë të detyruar t’i shmangin të gjitha ushqimet që u bëjnë dëm, të paktën për ca kohë, në varësi të shkallës së intolerancës.

Pra, nëse vuan nga ndonjë alergji ose intolerancë ushqimore, mos ki merak, sepse shumë njerëz alergjikë kanë mësuar të jetojnë me problemin dhe të kënaqen me një shumëllojshmëri ushqimesh të shijshme e me vlera.

^ par. 19 Atyre që vuajnë nga alergjitë e rënda, shpesh u rekomandohet të mbajnë me vete një shiringë-stilolaps të veçantë që përmban adrenalinë (epinefrinë), të cilën mund ta injektojnë vetë në rast emergjence. Disa specialistë të shëndetësisë sugjerojnë që fëmijët alergjikë të mbajnë ose të vënë në trup ndonjë shënim të dukshëm që paralajmëron mësuesit ose dadot për gjendjen e tyre.