Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Po luftoja sipas mënyrës sime kundër padrejtësive dhe dhunës

Po luftoja sipas mënyrës sime kundër padrejtësive dhe dhunës
  • LINDUR: 1960

  • VENDI I LINDJES: LIBAN

  • MË PARË: PROFESIONIST I KUNG FU-së

E KALUARA IME:

U rrita në Ramish, afër kufirit mes Izraelit dhe Libanit, gjatë kohës së një lufte civile. I kam ende të gjalla në mendje shpërthimet e minave tokësore dhe viktimat e pafajshme pa gjymtyrë. Jeta ishte e vështirë, dhe krimet e dhuna ishin më se të zakonshme.

Familja jonë i përkiste Kishës Maronite, një Kishë Katolike Lindore. Babai punonte gjithë kohës për të mbajtur familjen me 12 veta, kurse mamaja sigurohej që ne të tjerët të shkonim në kishë. Me kalimin e kohës, fillova të mendoja se, ashtu si shoqëria në përgjithësi, Kisha nuk kishte arritur të mbështeste të dobëtit.

Gjatë adoleshencës, filloi të më hynte në qejf kung fu-ja. Kisha një program stërvitjeje të rreptë dhe u bëra i zoti në dyluftim, si edhe në përdorimin e armëve të arteve marciale. Mendoja: «Unë nuk mund ta ndaloj luftën, por të paktën mund të përpiqem të ndaloj njerëzit e dhunshëm.» Sa herë shihja dy veta që ziheshin, ndërhyja menjëherë. Si natyrë isha gjaknxehtë, dhe më hipnin kacabunjtë kollaj. Njerëzit në mbarë Libanin jugor ma kishin frikën, pasi po luftoja sipas mënyrës sime kundër padrejtësive dhe dhunës.

Në vitin 1980, u futa në një klub kung fu-je në Bejrut. Bombat, predhat dhe raketat binin çdo ditë, por prapëseprapë unë shkoja në stërvitje. Jeta ime ishte vetëm ha, fli dhe jeto si Brus Li, një aktor kinezo-amerikan dhe kampion i kung fu-së. I mbaja flokët si ai, ecja si ai dhe kur bëja kung fu, imitoja britmat e tij. Nuk buzëqeshja kurrë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Synimi im ishte të bëhesha profesionist i kung fu-së në Kinë. Një mbrëmje, teksa stërvitesha fort para se të shkoja në Kinë, dëgjova një trokitje në derë. Ishte një shoku im bashkë me dy Dëshmitarë të Jehovait. I veshur me kostumin e zi të stërvitjes dhe me djersën që më rridhte çurg, u thashë: «Unë nuk di asgjë për Biblën.» Nuk ma merrte mendja fare se, që nga ai moment, jeta ime do të ndryshonte.

Dëshmitarët më treguan nga Bibla pse njerëzit nuk janë në gjendje t’i zhdukin krejtësisht padrejtësitë dhe dhunën. Më shpjeguan se Satana Djalli është shkaktari i vërtetë i këtyre problemeve. (Zbulesa 12:12) Më bënte përshtypje paqja dhe siguria që rrezatonin Dëshmitarët. U preka kur më mësuan se Perëndia ka një emër. (Psalmi 83:18) Gjithashtu, më treguan edhe shkrimin te 1 Timoteut 4:8, që thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë, kurse përkushtimi hyjnor është i dobishëm për çdo gjë, sepse mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» Ato fjalë ndikuan jashtë mase në jetën time.

Mjerisht, i humba kontaktet me Dëshmitarët, pasi familja ime u tha të mos ktheheshin më. Prapëseprapë, e ndava mendjen ta lija kung fu-në dhe të filloja të studioja Biblën. Vëllezërve të mi nuk u pëlqeu kjo, por unë isha i vendosur t’i gjeja sërish Dëshmitarët e Jehovait dhe të studioja Biblën me ta.

Vazhdova t’i kërkoja, por s’po i gjeja dot. Ndërkohë, më kishte kapluar hidhërimi nga vdekja e papritur e babait, si edhe nga tragjedi të tjera në familje. Kisha filluar punë në një firmë ndërtimi, dhe një ditë, një shok pune me emrin Adel, më ndaloi dhe më pyeti pse dukesha aq i trishtuar. Ai filloi të më fliste për shpresën e ringjalljes që jep Bibla. Gjatë nëntë muajve të ardhshëm, ky Dëshmitar i dashur dhe i sjellshëm studioi me durim Biblën me mua.

Teksa përparoja me studimin, fillova të kuptoja nevojën për të bërë ndryshime të mëdha në personalitet. Nuk ishte e lehtë. Acarohesha gjithmonë dhe provokohesha shpejt. Nga Bibla mësova si ta kontrolloja temperamentin dhe të mos veproja në mënyrë impulsive. Për shembull, te Mateu 5:44 gjendet këshilla e Jezuit: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» Gjithashtu, Romakëve 12:19 paralajmëron: «Mos u hakmerrni për veten, . . . sepse është shkruar: “‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.”» Këto dhe shkrime të tjera më ndihmuan të kisha paqe të brendshme.

DOBITË:

Megjithëse në fillim familja m’u kundërvu ngaqë kisha vendosur të studioja me Dëshmitarët e Jehovait, tani kanë filluar t’i respektojnë ata. Në fakt, edhe një nga vëllezërit e mi adhuron Jehovain, kurse nëna, deri në momentin kur vdiq, e mbronte besimin tonë para të tjerëve.

Jam bekuar edhe me një grua të mrekullueshme e besnike, Anitën, e cila është shoqja ime e dashur në shërbimin e plotkohor. Që nga viti 2000, unë dhe Anita kemi jetuar në Eskilstunë, Suedi, ku ndihmojmë njerëzit që flasin arabisht të mësojnë për Biblën.

Akoma më ther në zemër për ata që vuajnë nga dhuna. Por, tani që e di arsyen e vërtetë pse ndodh, dhe se së shpejti Perëndia do ta zhdukë atë, kjo më jep paqe dhe gëzim të vërtetë.—Psalmi 37:29.

Unë dhe gruaja jemi tejet të lumtur në shërbim. Na pëlqen shumë t’i mësojmë të tjerët për Jehovain