Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do t’i besosh Perëndisë?

A do t’i besosh Perëndisë?

IMAGJINO sikur ke një mik që e admiron tej mase, por ai bën diçka që ti s’e kupton. Të tjerët e kritikojnë veprimin e tij dhe ia gjykojnë motivet, duke e quajtur mizor. A do të bije menjëherë dakord me ta, apo do të prisje derisa të dëgjoje versionin e mikut? Nëse ai nuk do të ishte i pranishëm për të ta shpjeguar, a do të tregoje durim duke mos e gjykuar menjëherë?

Para se të përgjigjesh, mbase dëshiron të dish më tepër. Ndoshta pyet: «Sa mirë e njoh në të vërtetë këtë mik dhe ç’arsye kam për ta admiruar?» Dhe me të drejtë. Por mendo pak: A nuk mund të zbatojmë të njëjtat parime për të ditur nëse Perëndia është mizor?

Mund ta kesh të vështirë t’i kuptosh disa gjëra që ka bërë Perëndia, ose mund të çuditesh nga gjërat që ka lejuar të ndodhin. Ka shumë njerëz që thonë se Perëndia është mizor dhe që të nxitin t’i gjykosh motivet e Perëndisë siç bëjnë ata. A do të presësh pa e gjykuar derisa të mësosh më tepër? Përgjigjja varet nga sa mirë e njeh Perëndinë. Pyet veten: «Ç’lloj miku ka qenë Perëndia për mua?»

Nëse ke bërë jetë të vështirë, mbase tundohesh të thuash se Perëndia nuk ka qenë aspak mik. Por mendo për një çast. Për çfarë ka qenë përgjegjës Perëndia në jetën tënde, për vështirësitë apo për gjërat e mira? Siç e kemi parë, «sundimtari i kësaj bote» është Satanai, jo Jehovai. (Gjoni 12:31) Prandaj, është Satanai ai që fshihet pas shumë mjerimeve dhe padrejtësive në botë. Përveç kësaj, a nuk je dakord se shkaku i shumë problemeve që kalojmë, janë papërsosmëritë tona dhe rrethanat e paparashikueshme?

Për çfarë ka qenë përgjegjës Perëndia në jetën tënde, për vështirësitë apo për gjërat e mira?

Nga ana tjetër, për çfarë është përgjegjës Perëndia? Bibla thotë se Perëndia është ‘Bërësi i qiellit dhe i tokës’; ndër veprat e tij janë edhe trupat tanë që ‘janë krijuar në mënyrë të mrekullueshme’ dhe Jehovai është ‘Perëndia, në dorë të të cilit është fryma jote’. (Psalmi 124:8; 139:14; Danieli 5:23) Çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Kjo do të thotë se çdo frymëmarrje, vetë ekzistencën tonë, ia detyrojmë Krijuesit. (Veprat 17:28) Do të thotë se dhurata e jetës, bukuria e botës që na rrethon, kënaqësia e dashurisë dhe e miqësisë, gëzimi që provojmë kur shijojmë, prekim, dëgjojmë dhe nuhatim—të gjitha këto janë dhurata nga Perëndia. (Jakovi 1:17) A nuk je dakord se këto bekime e bëjnë atë një Mik që e meriton ta vlerësojmë dhe t’i besojmë?

Kuptohet, mund ta kesh të vështirë t’i besosh Perëndisë. Mbase mendon se ende nuk e njeh mjaftueshëm për t’i besuar, dhe kjo është e kuptueshme. Në këta artikuj të shkurtër, nuk mund t’i renditim të gjitha arsyet pse disa e gjykojnë Perëndinë si mizor. Por, a nuk do t’ia vlenin përpjekjet për ta njohur më mirë Perëndinë? * Jemi të sigurt se, në këtë mënyrë, do ta mësosh të vërtetën për Perëndinë. A është mizor ai? Krejt e kundërta: «Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.

^ par. 8 Për shembull, gjej më tepër informacione rreth arsyeve pse Perëndia e lejon ligësinë, te kapitulli 11 i librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.