Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!»

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!»

Afrojuni Perëndisë

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!»

NËSE do të të duhej ta përshkruaje me një fjalë Perëndinë Jehova, natyrën e tij, cilën fjalë do të zgjidhje? Në shekullin e tetë p.e.s., profetit Isaia iu dha një vegim ku dëgjoi engjëjt që lëvdonin Jehovain. Ata përdornin një fjalë që përshkruan një aspekt thelbësor të natyrës së tij​—shenjtërinë. Ajo çka pa e dëgjoi Isaia, duhet të na mbushë me nderim të thellë për Jehovain dhe të na nxitë t’i afrohemi më shumë atij. Ndërsa shqyrtojmë fjalët e Isaisë 6:1-3, përfytyroje veten sikur je atje.

Çfarë sheh Isaia? «Pashë Jehovain të ulur në një fron të lartë e të madhërishëm»,—thotë ai. (Vargu 1) Faktikisht Isaia nuk po sheh Zotërinë Sovran Jehova. Sytë fizikë nuk mund të shohin një person frymor. Bibla thotë qartë: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjoni 1:18) Ajo çfarë shikon Isaia është një vegim. * Por kaq i gjallë dhe real është vegimi, saqë mbushet me nderim të thellë ngaqë i duket sikur sheh vetë Jehovain.

Më pas Isaia vëren atë që ndoshta asnjë tjetër s’e ka pasur privilegjin të shohë në vegim. Ai shkruan: «Mbi të [Jehovain] qëndronin serafinë. Secili prej tyre kishte gjashtë krahë. Me dy mbulonin fytyrën, me dy mbulonin këmbët dhe me dy fluturonin.» (Vargu 2) Serafinët janë krijesa engjëllore të një rangu shumë të lartë. Isaia është i vetmi shkrimtar biblik që i përmend. Serafinët janë gjithnjë gati të shkojnë kudo dhe të bëjnë çfarëdo që Jehovai u kërkon. Ata e mbulojnë fytyrën dhe këmbët për t’i treguar nderimin dhe respektin e duhur Jehovait, në prani të të cilit kanë privilegjin të shërbejnë.

Isaia mbushet me nderim jo vetëm nga ajo që shikon, por edhe nga ajo që dëgjon. Duke formuar një kor qiellor, serafinët ngrenë zërat në këngë. Isaia shkruan: «Ata i thërritnin njëri-tjetrit: ‘I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive!’» (Vargu 3) Fjala hebraike që përkthehet «i shenjtë» mbart kuptimin e pastërtisë dhe të dëlirësisë. Gjithashtu, fjala përfshin «idenë e lirisë totale nga mëkati dhe që s’ka të bëjë fare me të». Ndoshta serafinët këndojnë pa ndërprerje një këngë antifonike. Në këngë përsëritin tri herë fjalën «i shenjtë» për të theksuar se Jehovai është i tillë në shkallën më të lartë. (Zbulesa 4:8) Pra, shenjtëria është një karakteristikë dalluese e natyrës së tij. Jehovai është plotësisht i dëlirë, i pastër dhe i paqortueshëm.

Dijenia se Jehovai është i shenjtë duhet të na nxitë t’i afrohemi më shumë. Pse? Ndryshe nga sundimtarët njerëzorë që mund të korruptohen ose të abuzojnë me pushtetin, Jehovai s’ka lidhje fare me mëkatin. Kështu, shenjtëria e tij na garanton se gjithnjë do të jetë Atë ideal, Sundimtar i drejtë dhe Gjykatës i paanshëm. Vetë natyra e tij e shenjtë na jep çdo arsye që të besojmë se Perëndia nuk do të na zhgënjejë kurrë.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë dhjetorit:

Isaia 1-23

[Shënimi]

^ par. 2 Libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (anglisht) shpjegon: «Kur dikush që nuk ishte në gjumë merrte një vegim nga Perëndia, duket se ishte plotësisht i vetëdijshëm për atë që shihte. Pastaj vegimin mund ta kujtonte, ta përshkruante e ta dokumentonte me fjalët e veta.»​—Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 26]

Dijenia se Jehovai është i shenjtë duhet të na nxitë t’i afrohemi më shumë