Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur ‘një zemër e vrarë dhe e dërrmuar’ kërkon falje

Kur ‘një zemër e vrarë dhe e dërrmuar’ kërkon falje

Afrojuni Perëndisë

Kur ‘një zemër e vrarë dhe e dërrmuar’ kërkon falje

2 SAMUELIT 12:1-14

TË GJITHË mëkatojmë shumë herë. Sado që mund të na vijë keq, mund të pyesim veten: «A i dëgjon Perëndia lutjet e mia të sinqerta të pendimit? A do të më falë?» Bibla mëson këtë të vërtetë ngushëlluese: megjithëse Jehovai nuk e toleron mëkatin, ai është i gatshëm të falë një mëkatar të penduar. Kjo e vërtetë u tregua qartë në rastin e mbretit David të Izraelit të lashtë, siç shihet te kapitulli 12 në Librin e Dytë të Samuelit.

Imagjino skenën. Davidi është fajtor për mëkate të rënda. Ai kryen kurorëshkelje me Betshebën dhe kur përpjekjet për të mbuluar mëkatin dështojnë, shkakton vrasjen e burrit të saj. Më pas Davidi hesht në lidhje me mëkatet, duke u hequr si i pafajshëm për disa muaj. Mirëpo Jehovai po vëzhgon. Ai i ka parë mëkatet e Davidit. Por ka parë edhe se Davidi mund të pendohet. (Proverbat 17:3) Çfarë do të bëjë Jehovai?

Jehovai dërgon te Davidi profetin Natan. (Vargu 1) I drejtuar nga fryma e shenjtë, Natani përdor takt me mbretin duke e ditur se duhet t’i zgjedhë me kujdes fjalët. Si mund t’ia heqë velin e vetëmashtrimit dhe ta bëjë Davidin të shohë se sa mëkate të rënda ka bërë?

Natani i paraprin mbrojtjes së Davidit duke i treguar një histori që me siguri do t’ia prekë zemrën një ish-bariu. Historia bën fjalë për dy burra, një të pasur dhe një të varfër. I pasuri kishte «një numër shumë të madh dhensh dhe gjedhësh», kurse i varfri s’kishte gjë tjetër «përveç një qengji të vogël femër». Tek i pasuri erdhi një vizitor dhe ai donte t’i përgatiste një vakt. Në vend që të merrte një nga delet e veta, i pasuri mori qengjin e vetëm të të varfrit. Ngaqë me sa duket mendon se kjo histori është e vërtetë, Davidit i ndizet zemërimi dhe shfryn: «Njeriu që e ka bërë këtë e ka hak vdekjen!» Pse? Sepse «nuk ka pasur dhembshuri», shpjegon Davidi. *​—Vargjet 2-6.

Ilustrimi i Natanit ia ka arritur qëllimit. Faktikisht, Davidi ka akuzuar veten. Tani Natani i thotë troç: «Ti je ai njeri!» (Vargu 7) Meqë Natani flet në emër të Perëndisë, nga fjalët e tij kuptohet qartë se Davidi e ka fyer Jehovain me veprimet e tij. Duke shkelur ligjet e Perëndisë, Davidi ka treguar mungesë respekti për Ligjdhënësin. «Ti më përbuze»,​—thotë Perëndia. (Vargu 10) Davidit i ther në zemër ky qortim dhe rrëfen: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.» Natani e siguron Davidin se Jehovai e ka falur, por Davidi do të përjetojë pasojat e veprimeve të tij.​—Vargjet 13, 14.

Pasi mëkati i tij doli sheshit, Davidi shkroi atë që tani njihet si Psalmi 51. Në këtë psalm, Davidi zbrazi zemrën duke zbuluar se sa thellë ishte penduar. Me mëkatet e tij, Davidi kishte përbuzur Jehovain. Por, pasi mbreti i penduar përjetoi bukurinë e faljes hyjnore, mundi t’i thoshte Jehovait: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» (Psalmi 51:17) Pak fjalë mund të jenë po kaq ngushëlluese për një mëkatar të penduar, që kërkon mëshirën e Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 4 T’i gatuaje një qengj një vizitori ishte një gjest mikpritjeje. Por, të vidhje një qengj ishte krim, i cili ndëshkohej me një dëmshpërblim sa katërfishi i vlerës. (Dalja 22:1) Sipas Davidit, i pasuri veproi pa mëshirë duke i marrë qengjin të varfrit. Kështu ai i hoqi të varfrit një kafshë që mund t’i kishte siguruar familjes qumësht e lesh dhe madje mund të kishte shërbyer për të krijuar një kope me dele.