Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Si e gjeti një burrë forcën për të lënë marihuanën dhe duhanin që i kishte filluar që i ri? Çfarë e ndihmoi një pjesëtar bande të dhunshme të mbante nën kontroll zemërimin dhe të kapërcente urrejtjen raciale? Lexoni se çfarë thotë secili prej tyre.

TË DHËNA

EMRI: HAJNRIH MARI

MOSHA: 38 vjeç

VENDI I LINDJES: KAZAKISTAN

MË PARË: I DROGUAR DHE DUHANPIRËS

E KALUARA IME: Linda në jug të Kazakistanit, rreth 120 kilometra larg qytetit Tashkent. Ishte një zonë me klimë të thatë dhe të nxehtë në verë, me temperatura që arrinin deri në 45 gradë celsius, kurse në dimër zbritnin deri në rreth minus 10 gradë—kushte ideale për rritjen e rrushit dhe prodhimin e marihuanës.

Prindërit e mi ishin me origjinë gjermane. Të dy ishin të krishterë evangjelistë, po nuk e praktikonin fenë e tyre. Megjithatë, më mësuan të recitoja përmendësh lutjen «Ati ynë». Kur isha 14 vjeç, mamaja dhe motra e madhe studiuan Biblën për pak kohë me Dëshmitarët e Jehovait. Njëherë, më zuri veshi emrin e Perëndisë Jehova, kur dy Dëshmitaret me të cilat studionte mamaja po ia tregonin në vetë Biblën e saj të vjetër. Më bëri shumë përshtypje. Mamaja nuk e vazhdoi studimin dhe interesi im për Perëndinë mbeti me aq. Megjithatë, ca kohë më vonë, kur isha në shkollë, mësuesja na thoshte lloj-lloj historish të sajuara që kishte dëgjuar për të ashtuquajturin sekt të Dëshmitarëve të Jehovait. Ngaqë kisha qenë me motrën në disa mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, i thashë mësueses se ato që thoshte për ta nuk ishin të vërteta.

Kur mbusha 15 vjeç, më dërguan në Leningrad, tani Shën-Pjetërburg, Rusi, për të mësuar një zanat. U flisja shokëve të dhomës për ato pak që kisha mësuar për Jehovain. Por, fillova duhanin. Kur shkoja për vizitë në shtëpinë time në Kazakistan, ishte shumë e lehtë të blija marihuanë, edhe pse ishte e ndaluar. Përveç kësaj, pija shumë vodka dhe verë të bërë vetë.

Mbarova shkollën dhe pastaj u futa në ushtrinë sovjetike për dy vjet. Gjithsesi, disa fakte që kisha mësuar nga Bibla që i vogël, më kishin ngelur në mendje. Kur më binte rasti, flisja me ushtarët e tjerë për Jehovain dhe i mbroja Dëshmitarët kur dëgjoja gënjeshtra për ta.

Pasi mbarova ushtrinë, shkova në Gjermani. Në një kamp emigrantësh, më ra në dorë një libër për studimin e Biblës, botuar nga Dëshmitarët. E lexova me shumë entuziazëm dhe u binda se ajo që thoshte ishte e vërteta. Megjithatë, nuk isha i zoti të lija duhanin dhe marihuanën. Pak më vonë, u transferova në afërsi të qytetit Karlsruhe. Atje takova një Dëshmitar të Jehovait dhe fillova të studioja Biblën me të.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Prej kohësh mendoja se Bibla ishte Fjala e Perëndisë. Dhe pasi lexova librin për studimin e Biblës që më ra në dorë, isha i bindur se Bibla u përgjigjej të gjitha pyetjeve të rëndësishme në jetë. Prapëseprapë, e kisha të vështirë të hiqja dorë nga veset e mia. Më preku këshilla biblike te 2 Korintasve 7:1 dhe më në fund vendosa të pastrohesha nga «çdo ndotje e mishit dhe e frymës». Kjo do të thoshte të lija marihuanën dhe duhanin.

Marihuanën arrita ta lija gati menjëherë. Por, për të lënë duhanin m’u deshën 6 muaj që m’u dukën të pafund. Një ditë, Dëshmitari që më bënte studimin biblik, më pyeti: «Cili është qëllimi yt në jetë?» Kjo pyetje më bëri të mendoj për duhanin. Isha përpjekur disa herë ta lija. Por, tani vendosa të lutesha para se të merrja në dorë një cigare, e jo t’i kërkoja falje Perëndisë pasi e kisha pirë. Në vitin 1993, caktova një ditë për të lënë duhanin. Me ndihmën e Jehovait, që atëherë nuk kam prekur as edhe një cigare me dorë.

DOBITË: Tani që kam shpëtuar nga veset e kushtueshme dhe të dëmshme të marihuanës e të duhanit, kam një shëndet më të mirë. Sot, kam privilegjin të shërbej si vullnetar në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. Jam vërtet i kënaqur që mësova të zbatoj në jetën time këshillat e Biblës. Njohuria për mësimet e Biblës i ka dhënë kuptim të vërtetë jetës sime.

TË DHËNA

EMRI: TITI SHANGADI

MOSHA: 43 vjeç

VENDI I LINDJES: NAMIBI

MË PARË: PJESËTAR I NJË BANDE TË DHUNSHME

E KALUARA IME: U rrita në një fshat në krahinën e Ohanguenës në veri të Namibisë. Shumë njerëz në fshatin tim u rrahën dhe u vranë gjatë luftës që u bë në këtë krahinë në vitet 80. Në fshatin tim, një djalë konsiderohej burrë vetëm nëse dinte të përleshej dhe i mundte djemtë e tjerë. Prandaj, mësova të ndeshesha.

Kur mbarova shkollën, shkova të jetoja me dajën në qytetin bregdetar të Sfakopmëntit. Menjëherë pasi shkova atje, u bashkova me një grup të rinjsh rebelë. Shkonim në pjesë të qytetit ku njerëzit me ngjyrë nuk ishin të mirëpritur, si në hotele dhe kafene, vetëm për t’u zënë. Në disa raste, u përleshëm me rojat e sigurimit dhe policët. Çdo natë merrja me vete një thikë të mprehtë e të gjatë ose një hanxhar, që të isha gati të sulmoja këdo që do të më priste rrugën.

Një natë, ndërsa po përlesheshim me një bandë rivale, për pak desh vdiqa. Një nga kundërshtarët më erdhi nga mbrapa dhe, sa po matej të ma priste kokën, një pjesëtar i bandës sime e goditi dhe e la pa ndjenja. Megjithëse iu afrova kaq shumë vdekjes, nuk hoqa dorë nga dhuna. Nëse grindesha me ndonjë, burrë a grua të ishte, gjithmonë isha unë që gjuaja i pari.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur takova në fillim një Dëshmitare të Jehovait, ajo më lexoi disa vargje nga Psalmi 37 dhe pastaj më tha se libri biblik i Zbulesës kishte premtime të tjera të mrekullueshme për të ardhmen. Por, ngaqë nuk më tha se në ç’pjesë të librit gjendeshin këto premtime, gjeta një Bibël dhe e lexova gjithë librin e Zbulesës atë natë. Më pëlqeu shumë premtimi që lexova te Zbulesa 21:3, 4 ku thuhet: «Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» Kur Dëshmitaret u kthyen, pranova të filloja një studim biblik.

E kisha shumë të vështirë të ndryshoja mënyrën e të menduarit dhe sjelljen. Por, mësova nga Veprat 10:34, 35 se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai». Gjithashtu, u përpoqa fort të zbatoja Romakëve 12:18: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»

Përveçse të mësoja të mbaja nën kontroll zemërimin, duhej të luftoja edhe me vesin e keq të duhanit. Shpesh, me lot në sy, i lutesha Jehovait të më ndihmonte. Por, në fillim nuk e luftoja në mënyrën e duhur. Thosha se po pija cigaren «e fundit» dhe pastaj lutesha. Dëshmitarja që më bënte studimin e Biblës më ndihmoi të kuptoja vlerën e lutjes para se të merrja një cigare. Nuk duhej as të rrija afër atyre që pinin duhan. Ndoqa edhe sugjerimin që të flisja me shokët e punës se sa i dëmshëm ishte duhani. Kjo më ndihmoi vërtet, sepse nuk kishte më cigare falas për mua—ata që pinin duhan aty në punë nuk m’i zgjatnin më.

Pas shumë përpjekjesh, arrita të hiqja dorë nga duhani dhe nga mënyra ime e të jetuarit. Gjashtë muaj pasi fillova të mësoja dhe të zbatoja parimet biblike, u kualifikova për t’u pagëzuar si një Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË: U binda se Dëshmitarët e Jehovait praktikojnë fenë e vërtetë kur pashë dashurinë aq të dukshme midis tyre, pavarësisht nga raca ose ngjyra. Madje, para se të pagëzohesha si Dëshmitar, një i bardhë nga kongregacioni më ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Më dukej ëndërr. Nuk isha ulur kurrë më parë në paqe me një njeri të bardhë, e jo më pastaj të haja në shtëpinë e tij. Tani isha pjesë e një vëllazërie të vërtetë ndërkombëtare.

Në të kaluarën, rojat e sigurimit dhe policët ishin përpjekur të më detyronin të ndryshoja rrugë, por më kot. Vetëm Bibla pati fuqi të më ndihmonte të ndryshoja personalitetin dhe të isha i lumtur.

[Diçitura në faqen 29]

«Shpesh, me lot në sy, i lutesha Jehovait të më ndihmonte»