Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata që e duan Jehovain, «s’ka gjë që t’i pengojë»

Ata që e duan Jehovain, «s’ka gjë që t’i pengojë»

«Ata që e duan ligjin tënd, kanë paqe të madhe, dhe s’ka gjë që t’i pengojë.»PSAL. 119:165.

1. Si tregoi një vrapuese se nuk hoqi dorë nga vrapimi në gara?

QË NË fillim të adoleshencës, Meri Dekëri ishte vrapuese me famë botërore. Pritej të fitonte medaljen e artë në garën finale prej 3.000 metrash në Olimpiadën Verore të 1984-s. Mirëpo, këmbët e saj nuk e shkelën vijën e finishit. U pengua te këmba e një vrapueseje tjetër, u rrëzua dhe doli jashtë pistës. Të lënduar dhe me lot në sy, u desh ta transportonin jashtë fushës. Por, Meri nuk hoqi dorë. Në më pak se një vit, ishte përsëri në formë për të marrë pjesë në garë dhe, më 1985, vendosi një rekord të ri botëror në garën prej 1,6 kilometrash për femra.

2. Në ç’kuptim të krishterët e vërtetë janë në një garë? Cili duhet të jetë synimi ynë?

2 Si të krishterë jemi në një garë, një garë vrapimi simbolike. Synimi ynë duhet të jetë të vrapojmë për të fituar. Gara jonë nuk është një sprint i shkurtër ku shpejtësia është çelës për fitoren. Nuk është as vrapim i lehtë me ndalesa të shpeshta për ta marrë me nge. Përkundrazi, mund të krahasohet me një maratonë ku qëndrueshmëria është e domosdoshme për të fituar. Në letrën drejtuar të krishterëve në Korint, qytet i famshëm për garat atletike, apostulli Pavël përdori metaforën e një vrapuesi në një garë. Ai shkroi: «A nuk e dini se në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm njëri e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni.»1 Kor. 9:24.

3. Si mund ta fitojnë garën për jetën e përhershme të gjithë vrapuesit?

3 Bibla na thotë të vrapojmë në këtë garë të figurshme. (Lexo 1 Korintasve 9:25-27.) Çmimi është jeta e përhershme: në qiell për të krishterët e mirosur dhe në tokë për pjesëmarrësit e tjerë në garë.  Ndryshe nga shumica e garave atletike, në këtë garë e fitojnë çmimin të gjithë ata që hyjnë dhe që qëndrojnë deri në fund. (Mat. 24:13) Garuesit humbin vetëm nëse nuk vrapojnë sipas rregullave ose nëse nuk e kalojnë vijën e finishit. Për më tepër, kjo është e vetmja garë që ka si çmim jetën e përhershme.

4. Pse është një sfidë gara për jetën e përhershme?

4 Nuk është e lehtë ta kalosh vijën e finishit. Kërkohet disiplinë dhe një qëllim i qartë. Vetëm një person ka mundur ta kalojë vijën e finishit pa u penguar asnjëherë: Jezu Krishti. Megjithatë, dishepulli i tij Jakov shkroi se ithtarët e Krishtit ‘pengohen të gjithë shumë herë’. (Jak. 3:2) Sa e vërtetë është kjo! Të gjithë ne ndikohemi nga papërsosmëritë tona dhe të të tjerëve. Prandaj, ndonjëherë mund të pengohemi, të na merren këmbët dhe të na pritet hovi. Madje, mund të biem, por ngrihemi dhe vazhdojmë të vrapojmë. Disa kanë rënë aq keq, saqë u desh t’u jepej ndihmë që të ngriheshin dhe të vazhdonin garën drejt vijës së finishit. Pra, ka mundësi që të pengohemi a të rrëzohemi për momentin ose madje herë pas here.1 Mbret. 8:46.

Nëse bie, prano ndihmë dhe ngrihu!

NËSE PENGOHESH, QËNDRO NË GARË

5, 6. (a) Në ç’kuptim ‘s’ka gjë që ta pengojë’ një të krishterë? Çfarë do ta ndihmojë ‘të ngrihet’? (b) Pse disa nuk e marrin veten pasi pengohen?

5 Fjalët «pengohem» dhe «bie» ndoshta i ke përdorur si sinonime për të përshkruar një gjendje frymore. Këto fjalë biblike mund të kenë të njëjtin kuptim, por jo gjithmonë. Për shembull, vër re fjalët e Proverbave 24:16: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur, por të ligjtë do të pengohen për shkak të gjëmës.»

6 Jehovai nuk do të lejojë që ata që besojnë tek ai të pengohen ose të bien, pra të hasin një problem a të bëjnë ndonjë gabim, sa të mos e marrin dot veten. Jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë ‘të ngrihemi’ që të vazhdojmë t’i përkushtohemi në maksimum. Sa inkurajuese është kjo për tërë ata që e duan Jehovain me gjithë  zemër! Të ligjtë nuk kanë të njëjtën dëshirë që të ngrihen. Ata nuk kërkojnë ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë dhe të popullit të tij ose nuk e pranojnë kur u ofrohet. Krejt ndryshe, ata ‘që e duan ligjin e Jehovait’, s’ka gjë që t’i nxjerrë përfundimisht nga gara për jetën.Lexo Psalmin 119:165.

7, 8. Si mund ‘të bjerë’ dikush e prapëseprapë të ketë miratimin e Perëndisë?

7 Për shkak të ndonjë dobësie, disa kryejnë ndonjë mëkat të vogël, madje herë pas here. Gjithsesi, janë ende të drejtë në sytë e Jehovait nëse vazhdojnë ‘të ngrihen’, domethënë, pendohen sinqerisht e përpiqen të vazhdojnë udhën e shërbimit me besnikëri. Mund ta shohim këtë në mënyrën si veproi Perëndia me Izraelin e lashtë. (Isa. 41:9, 10) Proverbat 24:16, cituar më parë, në vend që të theksojë negativen, pra ‘rënien’ tonë, përqendrohet te pozitivja, ‘ngritja’ falë ndihmës së Perëndisë tonë të mëshirshëm. (Lexo Isainë 55:7.) Duke shprehur besim te ne, Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti me dashamirësi na inkurajojnë ‘të ngrihemi’.Psal. 86:5; Gjoni 5:19.

8 Edhe sikur një vrapues të pengohet ose të rrëzohet në një maratonë, mund të ketë kohë ta marrë veten dhe ta përfundojë vrapimin nëse vepron me urgjencë. Në garën për jetën e përhershme, nuk e dimë ‘ditën dhe orën’ kur do të vijë fundi i garës. (Mat. 24:36) Sidoqoftë, sa më pak të pengohemi, aq më tepër ka të ngjarë të mbajmë një ritëm konstant, të qëndrojmë në garë dhe ta mbarojmë me sukses. Ç’mund të bëjmë që të mos pengohemi?

GJËRA QË MUND TË NA PENGOJNË

9. Cilat gjëra që mund të na pengojnë do të shqyrtojmë tani?

9 Le të shqyrtojmë pesë gjëra që mund të na pengojnë: dobësitë personale, dëshirat e mishit, padrejtësitë nga ana e bashkëbesimtarëve, shtrëngimet a përndjekja dhe papërsosmëritë e të tjerëve. Megjithatë, të mos harrojmë se, nëse jemi penguar, Jehovai është shumë i durueshëm. Ai nuk nxitohet të na vërë vulën si jobesnikë.

10, 11. Me cilën dobësi personale luftoi Davidi?

10 Dobësitë personale mund të krahasohen me ndonjë gur të vogël në një pistë vrapimi. Kur shqyrtojmë disa ngjarje nga jeta e mbretit David dhe e apostullit Pjetër, mund të vërejmë dy dobësi të tilla: mungesa e vetëkontrollit dhe frika e njeriut.

11 Mbreti David shfaqi dobësi duke mos ushtruar vetëkontroll, siç treguan veprimet e tij në lidhje me Betshebën. Po ashtu, kur Nabali e fyeu, Davidi për pak sa nuk veproi rrëmbimthi. Po, ai e humbi vetëkontrollin, por kurrë nuk hoqi dorë nga përpjekjet për t’i pëlqyer Jehovait. Me ndihmën e të tjerëve arriti të rifitonte ekuilibrin frymor.1 Sam. 25:5-13, 32, 33; 2 Sam. 12:1-13.

12. Si qëndroi në garë Pjetri edhe pse u pengua?

12 Pjetri shfaqi frikë njeriu, duke u penguar keq ndonjëherë, e megjithatë u qëndroi besnik Jezuit dhe Jehovait. Për shembull, mohoi publikisht Zotërinë, jo vetëm një, por tri herë. (Luka 22:54-62) Më vonë, nuk u soll si i krishterë, duke i trajtuar besimtarët jojudenj si të mos ishin po aq të mirë sa të krishterët e rrethprerë judenj. Por, apostulli Pavël e kuptonte qartë këtë çështje: në kongregacion nuk kishte vend për dallime klasore. Qëndrimi i Pjetrit ishte i gabuar. Para se sjellja e Pjetrit të thartonte marrëdhëniet mes vëllezërve, Pavli reagoi duke e këshilluar drejtpërdrejt, ballë për ballë. (Gal. 2:11-14) A u lëndua në sedër aq shumë Pjetri sa të hiqte dorë nga gara për jetën? Jo. Ai e mori seriozisht këshillën e Pavlit, e zbatoi dhe vazhdoi garën.

13. Si mund të na pengojë një dobësi fizike?

 13 Ndonjëherë, një dobësi personale mund të jetë një problem shëndetësor. Edhe ky mund të duket si një pengesë e madhe. Mund të ndikojë në ritmin tonë frymor e madje të na bëjë të na merren këmbët e të rraskapitemi. Për shembull, një motër japoneze pati një problem shëndetësor të rëndë 17 vjet pas pagëzimit. U shqetësua aq shumë për shëndetin, sa u dobësua frymësisht. Me kalimin e kohës u bë joaktive. Dy pleq i bënë një vizitë. E inkurajuar nga fjalët e tyre mirëdashëse, nisi t’i ndiqte mbledhjet përsëri. Ajo kujton: «U përlota kur vëllezërit më përshëndetën aq ngrohtë.» Tani motra jonë është sërish në garë.

14, 15. Si duhet të veprojmë kur na lindin dëshira të gabuara? Ilustroje.

14 Dëshirat e mishit kanë penguar shumë veta. Kur ato na tundojnë, duhet të veprojmë me vendosmëri që të mbetemi të pastër mendërisht, moralisht dhe frymësisht. Të kujtojmë këshillën e Jezuit ‘për të flakur tej’, në kuptimin e figurshëm, gjithçka që mund të na pengojë, madje edhe syrin e dorën. A nuk do të përfshiheshin këtu mendimet dhe veprimet imorale që i kanë bërë disa ta lënë garën?Lexo Mateun 5:29, 30.

15 Një vëlla që ishte rritur në një familje të krishterë shkroi se që i vogël luftonte me prirjet homoseksuale. Ai tha: «Gjithnjë ndihesha në siklet. Dukej sikur nuk përshtatesha me askënd.» Në moshën 20-vjeçare, shërbente si pionier i rregullt dhe shërbëtor ndihmës në kongregacion. Por u pengua keq, u disiplinua sipas Shkrimeve dhe mori ndihmë nga pleqtë. Duke u lutur, duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke u përqendruar te ndihma që mund t’u jepte të tjerëve, e mori veten dhe e rifitoi ritmin frymor. Tani, shumë vjet më pas, pranon: «Nganjëherë këto ndjenja nxjerrin kokë sërish, por nuk i lë të më vënë përposhtë. Kam mësuar se Jehovai nuk të lë të tundohesh përtej asaj që mund të mbash. Prandaj jam i bindur se Perëndia mendon se mund t’ia dal mbanë.» Ky vëlla përfundon: «Për tërë luftën që kam bërë, do të shpërblehem në botën e re. E dua atë! Deri atëherë do të vazhdoj të luftoj.» Ai është i vendosur të qëndrojë në garë.

16, 17. (a) Çfarë e ndihmoi një vëlla që mendonte se i kishin bërë një padrejtësi? (b) Ku duhet të përqendrohemi që të mos pengohemi?

16 Padrejtësitë nga ana e bashkëbesimtarëve mund të na pengojnë. Në Francë, një ish-plak mendonte se kishte qenë viktimë e një padrejtësie dhe mbante mëri. Si pasojë, nuk u shoqërua më me kongregacionin dhe u bë joaktiv. Dy pleq i bënë një vizitë dhe e dëgjuan me empati, pa e ndërprerë ndërsa tregonte historinë e tij, siç e mendonte. E inkurajuan t’ia hidhte barrën Jehovait dhe theksuan se gjëja më e rëndësishme ishte t’i pëlqente Atij. Reagoi mirë dhe shpejt u rikthye në garë e u bë përsëri aktiv në kongregacion.

17 Të gjithë të krishterët duhet të përqendrohen te Kreu i emëruar i kongregacionit, Jezu Krishti, e jo te njerëzit e papërsosur. Jezui, sytë e të cilit janë «porsi flakë zjarri», sheh gjithçka nga këndvështrimi i duhur, prandaj sheh shumë më tepër se ne. (Zbul. 1:13-16) Për shembull, e kupton se ajo që mund të na duket padrejtësi mund të jetë një keqinterpretim ose keqkuptim yni. Jezui do të kujdeset për nevojat e kongregacionit në mënyrë të përsosur dhe në kohën e duhur. Ja përse nuk duhet të lejojmë që veprimet ose vendimet e ndonjë të krishteri të na pengojnë.

18. Si mund t’u qëndrojmë sprovave ose vështirësive?

18 Dy gjëra të tjera që mund të na pengojnë janë shtrëngimet a përndjekja dhe papërsosmëritë e të tjerëve në kongregacion.  Në shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezui tha se disa do të pengoheshin kur të vinin «shtrëngimet ose përndjekjet» për shkak të fjalës. Ngado që të zërë fill përndjekja, nga familja, fqinjët ose autoritetet qeveritare, mund të prekë sidomos dikë që «nuk ka rrënjë», domethënë nuk është i rrënjosur thellë në besim. (Mat. 13:21) Megjithatë, nëse ruajmë një qëndrim të drejtë të zemrës, fara e Mbretërisë do të hedhë rrënjë të thella në zemrën tonë dhe besimi ynë do të bëhet më i fortë. Kur të vijnë sprovat, të përpiqemi të meditojmë me anë të lutjes rreth gjërave të denja për t’u lëvduar. (Lexo Filipianëve 4:6-9.) Me forcën e Jehovait do t’u qëndrojmë sprovave, pa i lejuar vështirësitë të na pengojnë.

Mos lejo asgjë të të ndalë të përfundosh garën!

19. Ç’mund të bëjmë që të mos na pengojë ndonjë fyerje?

19 Mjerisht, gjatë viteve disa kanë lejuar që papërsosmëritë e të tjerëve t’i nxjerrin nga gara. I kanë penguar pikëpamjet e ndryshme për çështje të ndërgjegjes. (1 Kor. 8:12, 13) Nëse dikush na fyen, a do ta bëjmë problem të madh? Bibla i nxit të krishterët të mos gjykojnë më, t’i falin të tjerët dhe të mos këmbëngulin në të drejtat e tyre. (Luka 6:37) Kur të përballesh me një pengesë të mundshme, pyet veten: «A po i gjykoj të tjerët në bazë të parapëlqimeve të mia? Duke e ditur se vëllezërit janë të papërsosur, a do të lejoj që papërsosmëria e dikujt të më nxjerrë nga gara?» Dashuria për Jehovain mund të na ndihmojë të jemi të vendosur që të mos lejojmë asgjë që bën një tjetër, të na pengojë të kalojmë vijën e finishit.

VRAPO ME QËNDRUESHMËRI, MOS U PENGO!

20, 21. Çfarë je i vendosur të bësh në garën për jetën?

20 A je i vendosur ‘ta përfundosh vrapimin’? (2 Tim. 4:7, 8) Atëherë është i domosdoshëm studimi personal. Përdor Biblën dhe botimet tona teokratike për kërkime, medito dhe identifiko gjërat që mund të të pengojnë. Përgjërohu për frymën e shenjtë që të të japë rezistencën e nevojshme frymore. Mos harro, asnjë vrapues nuk është i destinuar të dështojë në garën për jetën vetëm se ndonjëherë pengohet ose bie. Mund të ngrihet dhe të rikthehet në garë. Madje, gjërat që e pengojnë, mund të shërbejnë si trampolina për të vazhduar garën, duke nxjerrë mësime të vlefshme nga çdo sfidë e besimit.

21 Bibla e përshkruan pjesëmarrjen në garën për jetën e përhershme si diçka aktive e jo pasive. Nuk është si të hipësh në një autobus që thjesht i çon pasagjerët drejt fitores. Duhet të vrapojmë vetë në garën për jetën. Atëherë ‘paqja e madhe’ nga Jehovai do të jetë pas nesh ashtu si era që na shtyn. (Psal. 119:165) Jemi të sigurt për bekimet e vazhdueshme tani dhe për bekimet e pafundme në të ardhmen për të gjithë ata që e përfundojnë garën.Jak. 1:12.