Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dy anëtarët e rinj të Trupit Udhëheqës

Dy anëtarët e rinj të Trupit Udhëheqës

TË MËRKURËN, më 18 janar 2023, në sitin jw.org doli një njoftim special. Vëllezërit Geixh Fligëll dhe Xhefri Uinder u emëruan anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Të dy i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait prej shumë vjetësh.

Geixh Fligëlli dhe gruaja e tij, Nadia

Vëlla Fligëlli u rrit në të vërtetën nga prindërit e tij Dëshmitarë në Pensilvaninë Perëndimore, SHBA. Kur ishte adoleshent, bashkë me familjen u transferuan në një qytezë për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë. Pak kohë më vonë, më 20 nëntor të vitit 1988, ai u pagëzua.

Prindërit e inkurajonin vazhdimisht që të fillonte shërbimin në kohë të plotë. Shpesh ftonin në shtëpi mbikëqyrës qarkorë e bethelitë, kështu vëlla Fligëlli shihte sa të lumtur ishin këta vëllezër e motra. Më 1 shtator 1989, pak pas pagëzimit, filloi të shërbente si pionier i rregullt. Dy vjet më vonë ai arriti synimin që i kishte vënë vetes kur ishte 12 vjeç—të shërbente në Bethel. Vëlla Fligëlli nisi të shërbente në Bethelin e Bruklinit në tetor të 1991-shit.

Për tetë vjet ai punoi në libralidhje, pastaj u caktua në Departamentin e Shërbimit. Gjatë asaj kohe, shërbeu për pak vite në një kongregacion të gjuhës ruse. Më 2006 u martua me Nadian, dhe ajo nisi të shërbente bashkë me të në Bethel. Të dy kanë ndihmuar në fushën e gjuhës portugeze dhe, për më shumë se dhjetë vjet, në fushën e gjuhës spanjolle. Pasi kishte shërbyer për shumë vjet në Departamentin e Shërbimit, vëlla Fligëlli u caktua të punonte në Zyrën e Komitetit të Mësimit dhe më vonë në Zyrën e Komitetit të Shërbimit. Në mars të vitit 2022 u emërua si ndihmës në Komitetin e Shërbimit të Trupit Udhëheqës.

Xhefri Uinderi dhe gruaja e tij, Anxhela

Vëlla Uinderi u rrit në Murietë të Kalifornisë, SHBA. Ai e njohu të vërtetën nga prindërit dhe u pagëzua më 29 mars të 1986-s. Vetëm një muaj pas pagëzimit vendosi të shërbente si pionier ndihmës. I pëlqeu kaq shumë shërbimi si pionier sa, pas disa muajsh, filloi si pionier i rregullt më 1 tetor 1986.

Kur ishte adoleshent, vëlla Uinderi shkoi të takonte dy vëllezërit e mëdhenj, të cilët në atë kohë shërbenin në Bethel. Ai takim i ndezi dëshirën që të aplikonte për shërbimin në Bethel kur të rritej. Kështu, në maj të vitit 1990 e ftuan që të shërbente në Bethelin e Uollkillit.

Në Bethel, vëlla Uinderi ka punuar në departamente të ndryshme, si në pastrim, te fermat dhe në Zyrën e Bethelit. Më 1997 u martua me Anxhelën, dhe vazhduan të shërbenin së bashku në Bethel. Më 2014 u transferuan në Uoruik, ku vëlla Uinderi ndihmoi me ndërtimin e godinave të selisë botërore. Më 2016 u transferuan në Qendrën e Arsimimit në Paterson. Aty ai punoi në Shërbimet e Audio-Videos. Katër vite më vonë u kthyen prapë në Uoruik dhe vëlla Uinderi u caktua të punonte në Zyrën e Komitetit të Personelit. Në mars të vitit 2022 u emërua si ndihmës në Komitetin e Personelit të Trupit Udhëheqës.

I lutemi Jehovait që t’i bekojë pa masë këto «dhurata në njerëz», ndërsa punojnë fort për veprën e Zotërisë.—Efes. 4:8.