Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si ia doli Stefani të qëndronte aq i qetë përballë përndjekjes?

STEFANI u përball me një grup burrash armiqësorë. Si anëtarë të gjykatës më të lartë të Izraelit, Sinedrit, ata 71 gjyqtarë ishin ndër njerëzit më të pushtetshëm në vend. Këta burra i kishte mbledhur kryeprifti Kajafa, që drejtonte gjykatën disa muaj më parë kur Jezui u dënua me vdekje. (Mat. 26:57, 59; Vep. 6:8-12) Teksa paraqitnin akuzues të rremë njëri pas tjetrit, vërejtën diçka të pazakontë te Stefani​—fytyra e tij dukej «si fytyra e një engjëlli».​—Vep. 6:13-15.

Si ia doli Stefani të qëndronte aq i qetë dhe i patrazuar përballë kësaj situate të frikshme? Para se ta çonin zvarrë në Sinedër, Stefani kishte qenë plotësisht i zhytur në shërbimin e krishterë nën ndikimin e fuqishëm të frymës së Perëndisë. (Vep. 6:3-7) Kur ishte në gjyq, tek ai vepronte e njëjta frymë që e ndihmonte duke e ngushëlluar dhe duke i kujtuar gjërat që kish mësuar. (Gjoni 14:16) Ndërsa paraqiste mbrojtjen e tij të guximshme, siç tregohet te Veprat kapitulli 7, fryma e shenjtë i solli ndër mend Stefanit afro 20 ose më shumë fragmente nga Shkrimet Hebraike. (Gjoni 14:26) Por besimi i Stefanit u forcua më tej kur pa në vegim Jezuin tek qëndronte në të djathtën e Perëndisë.​—Vep. 7:54-56, 59, 60.

Një ditë, edhe ne mund të hasim kërcënime dhe përndjekje. (Gjoni 15:20) Duke u ushqyer rregullisht me Fjalën e Perëndisë dhe duke qenë aktivë në shërbim, lejojmë që fryma e Jehovait të veprojë te ne. Gjithashtu, do të gjejmë forcë që t’i bëjmë ballë kundërshtimit e njëkohësisht të ruajmë paqen e brendshme.​—1 Pjet. 4:12-14.