Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Vloja nga inati dhe isha i dhunshëm

Vloja nga inati dhe isha i dhunshëm
  • LINDUR: 1974

  • VENDI I LINDJES: MEKSIKË

  • E KALUARA IME: ADOLESHENT I DHUNSHËM, RRUGAÇ

TË DHËNA:

Linda në Sjutat-Mante, një rajon i bukur në shtetin e Tamaulipasit, Meksikë. Në përgjithësi, banorët e qytetit njihen si bujarë e të sjellshëm. Por mjerisht, për shkak të krimit të organizuar, ishte zonë shumë e rrezikshme.

Isha i dyti nga katër djemtë. Prindërit më pagëzuan në Kishën Katolike e më vonë mora pjesë në korin e kishës. Doja t’i pëlqeja Zotit, sepse kisha tmerr nga gjykimi dhe djegia e përhershme në ferr.

Kur isha 5 vjeç, babai na braktisi. Ikja e tij më theri thellë dhe më la një boshllëk në zemër. Nuk arrija ta kuptoja pse na la kur e donim aq shumë. Mamasë i duhej të punonte me orar të zgjatur, që të kujdesej për ne katër djemtë.

Përfitova nga situata dhe lija orët e mësimit që të rrija me fëmijë më të rritur. Prej tyre mësova të shaja, të pija duhan, të vidhja e të zihesha me grushte. Më pëlqente të dominoja mbi të tjerët, prandaj mësova boksin, mundjen, artet marciale dhe të përdorja armët. Në adoleshencë u bëra i dhunshëm. Shpesh përfshihesha në shkëmbime me armë zjarri, dhe disa herë përfundova i mbuluar me gjak e i lënë në rrugë me mendimin se kisha vdekur. Sa dhembje i shkaktoja mamasë kur më gjente në atë gjendje e duhej të më ngrinte e të më çonte urgjent në spital.

Kur isha 16 vjeç, na erdhi në shtëpi një shok fëmijërie që quhej Horhé. Na tha se ishte Dëshmitar i Jehovait dhe se donte të na fliste për një mesazh të rëndësishëm. Filloi të shpjegonte bindjet e veta, duke përdorur Biblën. S’e kisha lexuar kurrë, ndaj u mrekullova kur mësova emrin e Zotit e qëllimet e tij. Më ftoi të studioja Biblën me të dhe pranova.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Sa u lehtësova kur mësova të vërtetën se ferri i zjarrtë nuk bazohet në Bibël. (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5) Me të mësuar këtë, nuk ndieja më frikë të sëmurë nga Perëndia. Përkundrazi, nisa ta shihja si një Atë të dashur që do më të mirën për fëmijët e vet.

Teksa përparoja me studimin e Biblës, kuptova se duhej të ndryshoja personalitetin. Duhej të zhvilloja përulësinë dhe të hiqja dorë nga dhuna. Për këtë më ndihmoi këshilla te 1 Korintasve 15:33: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Kuptova se, nëse doja të ndryshoja personalitetin, nuk duhej të shoqërohesha më me ata që ndikonin për keq tek unë. Kështu që miqtë e vjetër i zëvendësova me të krishterë të vërtetë nga kongregacioni, njerëz që i zgjidhnin mosmarrëveshjet duke zbatuar parimet biblike, jo me grushte e dhunë.

Një pjesë tjetër nga Shkrimet që ndikoi tek unë, ishte Romakëve 12:17-19: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, . . . sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,​—thotë Jehovai.» Pak nga pak e pranova se Jehovai do t’u japë fund padrejtësive në kohën e në mënyrën e duhur sipas tij. Avash-avash hoqa dorë nga dhuna.

S’do ta harroj kurrë një mbrëmje kur po kthehesha në shtëpi. Më sulmoi një grup çunash nga një bandë rivale e mëparshme dhe kapoja më goditi pas shpine duke bërtitur: «Mbrohu!» Në çast i bëra një lutje të shkurtër Jehovait që të më ndihmonte të mos ua ktheja. Edhe pse më vlonte dëshira për t’ua kthyer, arrita t’u shpëtoja nga duart. Të nesërmen rastisa vetëm për vetëm me kapon e bandës. Në moment më pushtoi ndjenja e hakmarrjes, por prapë iu përgjërova në heshtje Jehovait që të më ndihmonte të kontrolloja temperamentin. Për habinë time, ai m’u afrua dhe më tha: «Më fal për atë që ndodhi mbrëmë! Puna është se dua të bëhem si ti. Dua të studioj Biblën.» Sa i kënaqur u ndjeva që ia kisha dalë ta mbaja nën fre zemërimin! Falë kësaj, edhe ai filloi të studionte Biblën.

Mjerisht, në atë kohë pjesa tjetër e familjes e ndërpreu studimin e Biblës. Gjithsesi, isha më se i vendosur ta vazhdoja studimin dhe të mos lejoja askënd e asgjë të më pengonte. E dija se, po të shoqërohesha rregullisht me popullin e Perëndisë, do të më shëroheshin plagët emocionale dhe do të kisha familjen për të cilën kisha nevojë. Vazhdova të përparoja dhe më 1991 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË:

Vloja nga inati, isha prepotent dhe i dhunshëm. Ama, Fjala e Perëndisë ma ka ndryshuar jetën kryekëput. Tani flas për mesazhin e paqes nga Bibla me këdo që dëshiron. Gjatë 23 viteve të kaluara kam pasur privilegjin të shërbeja në kohë të plotë.

Për njëfarë kohe punova si vullnetar në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Atje takova Klaudian, një të re të krishterë shumë energjike. U martuam më 1999. Sa mirënjohës i jam Jehovait që më ka bekuar me këtë shoqe besnike!

Kemi shërbyer së bashku në kongregacionin e gjuhës meksikane të shenjave, ku kemi ndihmuar ata që nuk dëgjojnë, të mësojnë për Jehovain. Më pas na ftuan të transferoheshim në Belize, që t’u mësonim për Biblën njerëzve atje. Megjithëse jeta këtu është shumë më e thjeshtë, kemi pasur gjithë sa na duhej për të qenë të lumtur. Nuk do ta këmbenim me asgjë.

Me kohë mamaja rifilloi studimin e Biblës dhe u pagëzua. Tani edhe vëllai më i madh me të shoqen e fëmijët janë Dëshmitarë të Jehovait. Jehovait po i shërbejnë edhe disa miq të dikurshëm të cilëve u kisha folur për mesazhin për Mbretërinë.

Mjerisht, disa pjesëtarë të familjes kanë vdekur për shkak të temperamentit të dhunshëm që nuk e ndryshuan. Po të ndiqja të njëjtën udhë, ka gjasa të kisha përfunduar si ata. Sa mirënjohës i jam Jehovait për miqësinë me të e me adhuruesit e tij e që me durim e mirëdashje më mësoi të zbatoja parimet biblike!