Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Si të bëjmë paqe?

Si të bëjmë paqe?

Frenku dhe Xheri ishin fqinjë të mirë, derisa Xheri bëri një festë natën vonë. * Kur Frenku iu ankua për zhurmën, Xherit i mbeti qejfi. U grindën. Dhe më pas nuk i flitnin me gojë njëri-tjetrit.

PROBLEMI si ai i Frenkut dhe i Xherit, ndodh rëndom. Kur dy njerëz kanë një mosmarrëveshje, të dy largohen shpesh të zemëruar, ndoshta duke fajësuar njëri-tjetrin. Nëse ky qëndrim zgjat, miqësia e tyre mund të prishet.

Ndoshta edhe ti je gjendur në një situatë të ngjashme. Nëse po, ka të ngjarë të jesh mërzitur. Në të vërtetë, shumica prej nesh duan të jetojnë në paqe dhe në harmoni me miqtë dhe fqinjët. Por si mund ta arrijmë këtë me gjithë mosmarrëveshjet që ndodhin ndonjëherë? A mund t’i kapërcejmë qëndrimet negative dhe ndjenjat e lënduara? A mund t’i zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore?

Mendo për rastin e Frenkut dhe të Xherit. Në thelb, miqësia e tyre filloi të merrte të tatëpjetën kur bënë disa hapa të gabuar: (1) Xheri nuk e mori në konsideratë Frenkun, (2) Frenku e shfaqi bezdinë e tij në një mënyrë që e mërziti Xherin, (3) të dy e humbën gjakftohtësinë dhe (4) të dy nuk hapën rrugë.

Por me kalimin e kohës, u bënë më të arsyeshëm. Të dy i lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe bënë paqe. Çfarë i ndihmoi? Zbatuan disa parime praktike që kanë ndihmuar që shumë miqësi jo vetëm të përballojnë kohët e vështira, por edhe të forcohen më tepër më pas.

Parimet që përfshihen, mund të gjenden në librin më të shpërndarë në të gjithë botën, në Bibël. Ajo na inkurajon të zhvillojmë cilësi që i kontribuojnë paqes dhe mbyllin plagët emocionale. Këto cilësi mund të jenë aftësia dalluese, gjykimi i thellë, mirëdashja, dashuria dhe shpirtgjerësia.—Proverbat 14:29; 1 Korintasve 13:4, 5.

Frenku dhe Xheri janë vetëm dy shembuj që dëshmojnë për fuqinë që ka  Bibla për të ndryshuar jetën për mirë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë, madje edhe njerëz që kanë kapërcyer tipare negative të rrënjosura thellë. Për shembull, Roberti nga Australia, kapërceu zemërimin e ngulitur thellë tek ai. Nelsoni nga Timori Lindor, la mënjanë armiqësitë e krijuara prej kohësh dhe u bë mik i ngushtë me një prej ish-armiqve të tij. Si e ndihmoi Bibla Robertin dhe Nelsonin? Për këtë, revista Zgjohuni! i intervistoi.

INTERVISTË 1

ROBERT, na trego pak për të kaluarën tënde.

U rrita në një familje jo të lumtur. Për shembull, babai ishte i dhunshëm dhe shpesh më rrihte. Ndonjëherë, më linte të gjakosur dhe pa ndjenja. Si pasojë, u bëra jashtë mase nevrik dhe i dhunshëm. Gjatë adoleshencës, kalova dy vjet në një shkollë riedukimi. Më vonë, bëra një krim dhe përfundova në një burg të sigurisë së lartë. Kur në fund më liruan, u transferova në Australi, me shpresën për të nisur gjithçka nga e para.

Që në fëmijëri, Roberti ishte nevrik dhe i dhunshëm e madje përfundoi në burg

A ndryshove pas këtij transferimi?

Më shumë se transferimi, ajo që më ndryshoi ishte Bibla, që e studiova me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, akoma e kisha të vështirë ta kontrolloja temperamentin dhe shpesh ndihesha i zhgënjyer dhe i pavlerë. Pastaj, një ditë po mendoja për Proverbat 19:11, që thotë: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» Mezi prisja ta kisha këtë gjykim të thellë, prandaj fillova të mendoja se çfarë qëndron pas ndjenjave, fjalëve dhe veprimeve tona. Si rezultat, pak nga pak u bëra më i kuptueshëm, i durueshëm dhe i falja të tjerët.

A mund të na tregosh ndonjë rast?

Njëherë mërzita pa dashje një shok, që më qortoi gjithë nerva në sy të të tjerëve. U ndjeva i poshtëruar, për të mos thënë më shumë. Por, m’u kujtua këshilla e Biblës ‘për të mos ia kthyer askujt të keqen me të keqe’ dhe i kërkova falje menjëherë. (Romakëve 12:17) Kur u qetësua, iu afrova për të folur me të vetëm për vetëm dhe mësova se po kalonte ca probleme familjare. Bëmë paqe dhe më vonë më dhuroi një pardesy të bukur. Dridhem kur mendoj se çfarë mund të kishte ndodhur nëse, kur më poshtëroi, do të isha sjellë si më parë.

Si ia bën me problemet familjare?

Kemi një djalë 20-vjeçar, dhe si gjithë familjet e tjera, edhe ne kemi mosmarrëveshjet tona. Por kam mësuar shumë nga Bibla, përfshirë edhe rëndësinë e fjalëve «Më fal!» Është për t’u habitur se si mund ta parandalojnë ose qetësojnë një konflikt këto fjalë nëse thuhen me sinqeritet.

 INTERVISTË 2

NELSON, je i qeshur dhe miqësor. Por një herë e një kohë, vloje nga urrejtja, apo jo?

Po! Kur isha i ri, u bashkova me një grup politik që ishte kundër qeverisë. Po kështu, urreja një parti rivale që po orvatej të merrte nën kontroll krahinën time. Që të isha luftëtar i zoti, mësova artet marciale dhe rrihja këdo që më mërziste.

Kur ishte i ri, Nelsoni u bashkua me një grup politik që ishte kundër qeverisë

Çfarë të shtyu të ndryshoje?

Fillova të studioja Biblën dhe të zbatoja mësimet e saj, dy prej të cilave më prekën në mënyrë të veçantë. I pari është: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Kurse i dyti: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Vura re se Dëshmitarët me të cilët studiova Biblën, e shfaqnin këtë lloj dashurie, pavarësisht nga prejardhja e tyre raciale apo etnike. Doja të isha si ata. Me sa duket ia dola, sepse ata që më kishin njohur më parë u mahnitën me ndryshimin tim dhe nuk kishin më frikë prej meje.

A të ka ndodhur ta humbësh përsëri vetëkontrollin?

Jo në publik. Por ndonjëherë në shtëpi e kisha të vështirë ta kontrolloja temperamentin. Në fakt, njëherë u zemërova me gruan dhe e godita, dhe më vjen shumë keq për këtë. Megjithatë, ajo më fali me dashamirësi dhe kjo më bëri edhe më të vendosur që të kontrolloja veten.

Ti the që njerëzit nuk kanë më frikë prej teje. A mund të na tregosh ndonjë rast?

Patjetër. Një ditë takova Auguston, një anëtar të rëndësishëm të partisë rivale që përmenda më parë. Në fillim ai po tregohej shumë i kujdesshëm. Por e përshëndeta me ngrohtësi, i thashë t’i harronim mosmarrëveshjet dhe e ftova në shtëpi. Pranoi dhe u habit kaq shumë me ndryshimin tim, sa edhe ai filloi të studionte Biblën. Tani Augusto dhe unë nuk jemi vetëm miq të ngushtë, por edhe vëllezër në besim.

 «Jini paqësorë me të gjithë»

Shkaqet e konflikteve janë komplekse e të ndryshme, dhe jo çdokush reagon mirë ndaj përpjekjeve tona për të vendosur paqe. Ja pse Bibla jep këtë këshillë realiste: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»—Romakëve 12:18.

Njerëzit e përmendur në këtë artikull janë provë e gjallë se mençuria e Biblës jep rezultat—kur e lejojmë, ajo ka fuqinë të përmbysë edhe qëndrime negative «të fortifikuara mirë». (2 Korintasve 10:4) Në lidhje me këtë mençuri, Proverbat 3:17, 18 thotë: «Udhët e saj janë hijeshi, dhe tërë rrugët e saj janë paqe. Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.»

Nelsoni dhe Augusto tani janë miq të ngushtë

A do që të jesh më i lumtur e paqësor? A dëshiron me zjarr të kesh miqësi që nuk lëkunden kur vihen në provë? Nëse po, nuk do të zhgënjehesh po ta lejosh Biblën të të mësojë.

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.