Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 INTERVISTË | GIJERMO PEREZ

Një kryekirurg flet për besimin e tij

Një kryekirurg flet për besimin e tij

Dr. Gijermo Perez kohët e fundit doli në pension nga puna si shef i kirurgjisë në një spital me 700 shtretër në Afrikën e Jugut. Për shumë vjet besonte tek evolucioni. Por më vonë u bind se trupi njerëzor ishte projektuar nga Perëndia. Revista Zgjohuni! e pyeti për besimin e tij.

A mund të na thuash, të lutem, pse besoje dikur tek evolucioni?

Megjithëse u rrita si katolik, kisha dyshime për Perëndinë. Për shembull, nuk mund të besoja te një Perëndi që i djeg njerëzit në ferr. Prandaj, kur profesorët e universitetit më mësuan se gjallesat kanë evoluar dhe nuk u krijuan nga Perëndia, e pranova këtë pikëpamje, duke supozuar se kishte prova që e mbështetnin. Meqë ra fjala, kisha ime e pranonte evolucionin dhe besonte se Perëndia e kishte drejtuar atë.

Çfarë të ngjalli interesin te Bibla?

Gruaja ime, Suzana, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i treguan në Bibël se Perëndia nuk i torturonte njerëzit në një ferr të zjarrtë. * I treguan edhe premtimin e Perëndisë për ta kthyer planetin tonë në një shtëpi parajsore. * Më në fund gjetëm mësime që kishin kuptim. Në vitin 1989, një Dëshmitar me emrin Nik filloi të më vinte për vizitë. Gjatë një diskutimi për trupin e njeriut dhe origjinën e tij, më habiti logjika e thjeshtë e Hebrenjve 3:4 në Bibël që thotë se «çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia».

A të ndihmoi studimi i trupit të njeriut të besoje te krijimi?

Po. Mënyra si vetëshërohet trupi ynë tregon se është projektuar me kujdes. Për shembull, shërimi i plagës përfshin katër faza njëra pas tjetrës, faza që më kujtonin se unë, si kirurg, thjesht punoja me sistemin shërues të vetë trupit.

Po çfarë ndodh kur trupi ynë plagoset?

Brenda pak sekondash, aktivizohet faza e parë e një sërë procesesh të projektuara për të ndaluar gjakrrjedhjen. Këto procese janë mjaft komplekse dhe të efektshme. Dua të shtoj se sistemin tonë të qarkullimit të  gjakut, që ka rreth 100.000 km enë gjaku, duhet ta kenë zili inxhinierët hidraulikë, pasi ky sistem ka aftësinë të mbyllë çarjet dhe të vetëshërohet.

Po në fazën e dytë çfarë ndodh?

Rrjedhja e gjakut ndalon brenda disa orësh dhe fillon reagimi ndaj ënjtjes së plagës. Ky reagim përfshin një sërë procesesh të mahnitshme. Së pari, enët e gjakut që fillimisht ishin ngushtuar për të pakësuar humbjen e gjakut, tani bëjnë të kundërtën: zgjerohen për të rritur qarkullimin e gjakut në zonën e plagosur. Pastaj, në të gjithë atë zonë grumbullohet një lëng i pasur me proteina i cili shkakton ënjtje. Ky lëng është thelbësor për luftimin e infeksionit, duke ulur përqendrimin e helmeve dhe duke hequr indet e dëmtuara. Për çdo hap nevojitet prodhimi i miliona molekulave dhe qelizave të posaçme në një mori procesesh. Disa prej këtyre proceseve shërbejnë si stimulues për fazën pasuese, pas së cilës ato ndërpriten.

Si vazhdon shërimi?

Brenda nja dy ditësh, trupi ynë fillon të prodhojë lëndë shëruese, një proces që shënon fillimin e fazës së tretë dhe arrin kulmin për rreth dy javë. Qelizat që formojnë fibra mbi plagë, grumbullohen atje dhe shumohen. Gjithashtu, formohen enë gjaku të vockla dhe zgjaten drejt zonës së dëmtuar, ku heqin mbetjet dhe sigurojnë ushqyes shtesë gjatë shkatërrimit të elementëve të panevojshëm dhe gjatë shërimit. Në një tjetër seri procesesh komplekse, prodhohen qeliza të veçanta që bashkojnë skajet e plagës.

Uau, çfarë pune! Sa kohë duhet deri në shërim të plotë?

Për fazën e fundit, rindërtimin, mund të duhen muaj të tërë. Kockat e thyera rimarrin forcën e mëparshme, dhe fibrat që në fillim u formuan mbi plagën me inde të buta, zëvendësohen me elementë më të fortë. I gjithë shërimi i plagës është shembull i një organizimi të mahnitshëm.

A të kujtohet ndonjë rast që të ka lënë mbresa të veçanta?

Mrekullohem kur shoh si vetëshërohet trupi ynë

Po. Mbaj mend rastin e një 16-vjeçareje që kishte pasur një aksident të tmerrshëm me makinë. Ishte në gjendje kritike sepse i ishte copëtuar shpretka dhe kishte hemorragji të brendshme. Vite më parë do ta kishim operuar për t’ia rregulluar shpretkën ose për t’ia hequr fare. Kurse sot mjekët e lënë më tepër në dorë të aftësisë vetëshëruese të trupit. Unë trajtova vetëm infeksionin, humbjen e lëngjeve, aneminë dhe dhembjen e saj. Disa javë më vonë, skaneri tregoi se shpretka e saj ishte shëruar. Mrekullohem kur shoh si vetëshërohet trupi ynë. Dhe jam akoma më i bindur se jemi projektuar nga Perëndia.

Çfarë të pëlqeu te Dëshmitarët e Jehovait?

Më dukeshin miqësorë dhe gjithmonë u përgjigjeshin pyetjeve të mia nga Bibla. Admiroja edhe guximin me të cilin u flitnin të tjerëve për bindjet e tyre e i ndihmonin të mësonin për Perëndinë.

A të ka ndihmuar në punë fakti që u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Po. Së pari, më ndihmoi të përballoja lodhjen nga dhembshuria, një formë sfilitjeje emocionale që shpesh prek mjekët dhe infermierët që merren vazhdimisht me njerëz të sëmurë ose të plagosur. Së dyti, kur pacientët kishin nevojë të flisnin, mund t’u shpjegoja premtimin e Krijuesit për t’u dhënë fund sëmundjeve e vuajtjeve * dhe për të sjellë një botë ku askush nuk do të thotë: «Jam sëmurë.» *