Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 INTERVISTË | DEJV LOSI

Një biokimist shpjegon besimin e tij

Një biokimist shpjegon besimin e tij

Dr. Dejv Losi është biokimist në Belgjikë. Dikur nuk besonte në ekzistencën e një Krijuesi, por në evolucion. Më vonë ndryshoi mendim. Çfarë e shtyu këtë studiues të rishqyrtonte bindjet e tij për origjinën e jetës? Zgjohuni! e pyeti dr. Losin për fushën e tij shkencore dhe për besimin që ka.

Si nise të bëje kërkime shkencore?

Kur shkova në universitet, zgjodha të studioja për kimi. Në veçanti, më ngjallnin kureshtje proteinat dhe acidet nukleike, që deri tani janë molekulat më komplekse të planetit tonë. Dalëngadalë më zgjoi interes mënyra si reagojnë ndaj dritës së diellit disa molekula.

A besoje te Perëndia?

Besoja kur isha i vogël. Por më vonë, ndërsa studioja në Universitetin Katolik të Leuvenit, më mësuan se gjallesat kanë ardhur me evolucion. Profesorët i shpjegonin disa nga proceset e evolucionit sikur ishin shumë të ndërlikuara. Ata ishin shkencëtarë me përvojë, prandaj besoja çfarë thoshin. Me kalimin e kohës, më dukej e vështirë të besoja se kishte një Perëndi.

Çfarë të shtyu të rishqyrtoje origjinën e jetës?

Më 1999, takova një ish-shok shkolle që ishte bërë Dëshmitar i Jehovait dhe ndoqa një nga mbledhjet e tyre. Po në atë periudhë, në shtëpinë tonë erdhi një Dëshmitar dhe la librin A ka një Krijues që interesohet për ju? *

Si t’u duk libri?

Më la pa fjalë, sepse kërkimet që paraqiteshin në botim ishin shumë cilësore. Nisa të dyshoja nëse evolucioni ishte vërtet shpjegimi i projekteve që shohim në natyrë.

Cilat projekte në natyrë të bënin përshtypje?

Në punën time si biokimist studioja projektimin e disa molekulave të cianobaktereve. Këto janë mikroorganizma që jetojnë në oqeane dhe nuk varen nga krijesa të tjera për  ushqim. Disa studiues mendojnë se ato janë gjallesat e para të planetit tonë. Duke shfrytëzuar energjinë diellore, këta mikroorganizma përdorin një proces kimik shumë të ndërlikuar për ta kthyer ujin dhe dyoksidin e karbonit në ushqim, proces që ende nuk kuptohet plotësisht. Gjithashtu mahnitesha se si cianobakteret e shfrytëzojnë dritën me efektshmëri të paimagjinueshme.

Edhe gjethet shfrytëzojnë dritën diellore për të prodhuar lëndë ushqyese. Ç’të veçantë kanë cianobakteret?

Sa më thellë të shkosh në det, aq më pak dritë ka. Kështu, cianobakteret që jetojnë aty duhet të thithin çdo grimcë drite që munden. Këtë e bëjnë me anë të sensorëve tepër të sofistikuar. Energjinë e dritës që grumbullojnë, e përçojnë në qendra për prodhimin e lëndëve ushqyese me një efektshmëri prej afro 100 për qind. Projektimi i këtij mikroorganizmi që shfrytëzon dritën ka tërhequr vëmendjen e prodhuesve të paneleve diellore. Sigurisht, panelet diellore nuk i afrohen gjëkundi efektshmërisë së mekanizmave që gjenden te bakteret.

Në ç’përfundim të çoi kjo?

Mendova për inxhinierët që përpiqen të imitojnë mekanizmat e mrekullueshëm të gjallesave dhe arrita në përfundimin se jeta duhet të jetë projektuar nga Perëndia. Por besimi im nuk u bazua vetëm te studimet shkencore, por edhe te një studim i kujdesshëm i Biblës.

Çfarë të bindi se Bibla është një libër nga Perëndia?

Një nga gjërat e shumta që më bindi është përmbushja e hollësishme e profecive biblike. Për shembull, shekuj para se të ndodhte, Isaia kishte përshkruar me shumë hollësi vdekjen dhe varrimin e Jezuit. E dimë se kjo profeci u shkrua para se Jezui të vdiste, sepse Rrotulla e Isaisë, e gjetur në Kumran, u kopjua njëqind vjet para se Jezui të lindte.

Profecia thoshte: «Kur të vdesë, varri i tij do të jetë mes të ligjve dhe të pasurve.» (Isaia 53:9, 12) Të bën përshtypje që Jezui u ekzekutua me kriminelët, por u varros në varrin e një familjeje të pasur. Kjo është vetëm një nga profecitë e shumta të plotësuara që më kanë bindur se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. (2 Timoteut 3:16) Me kohë u bëra Dëshmitar i Jehovait.

Pse je i kënaqur që u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Besimi ynë nuk është i verbër dhe nuk i shpërfill faktet shkencore. Veç kësaj, parimet që na drejtojnë janë të bazuara fort në Bibël. Si Dëshmitar i Jehovait kënaqem kur ua them të tjerëve mesazhin ngushëllues të Biblës dhe kur i ndihmoj të gjejnë përgjigjet e pyetjeve që kanë.

^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.