Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Gratë që jetojnë në vende të varfra rrezikojnë 300 herë më shumë të vdesin gjatë shtatzënisë ose lindjes sesa po të jetonin në vende të pasura.»​—BUSINESSWORLD, FILIPINE.

Sipas një ankete në Gjermani, 40 për qind e 11-15-vjeçarëve atje nuk e dinë se dielli agon në lindje; 60 për qind nuk e dinë se nga një hënë e plotë në tjetrën kalojnë katër javë.​—WELT ONLINE, GJERMANI.

Arkeologët kanë zbuluar një tempull filistin në Gathin e lashtë. Ndërtesa ngrihet mbi dy kolona qendrore dhe të sjell ndër mend tregimin biblik për Samsonin që mbështeti krahët te dy shtylla të tilla, e kështu tempulli u shemb.​—THE JERUSALEM POST, IZRAEL.

Import nusesh në Azi

Gazeta filipinase në Internet BusinessWorld thotë: «Sa vjen e shtohet numri i burrave aziatikë nga vende të pasura si Japonia dhe Koreja e Jugut që kërkojnë nuse në vende [aziatike] më të varfra si Vietnami dhe Filipinet.» Në periudhën 1995-2006, u rrit me 73 për qind numri i japonezëve që u martuan me gra të huaja. Pse? Siç thotë artikulli, «gratë e pavarura ekonomikisht kanë pretendime» dhe ngurrojnë më tepër që të martohen. Kurse gratë nga vende më të varfra janë gati të martohen në shtete më të pasura qoftë edhe me burra që bëjnë punë krahu, sepse «u ofrojnë shpresën e një jete më të mirë».

Përsosin tradhtinë?!

Në pesë shtete funksionon një faqe Interneti për të gjetur partner, që është bërë objekt debatesh. Ajo i reklamon shërbimet e saj me sloganin: «Jeta është e shkurtër. Bëni një aventurë dashurie.» Sipas themeluesit të saj, ky shërbim nuk ua mbush mendjen njerëzve të tradhtojnë partnerët e tyre, pasi ata që i drejtohen kësaj faqeje, «tashmë e kanë marrë vendimin». «Shumica e problemeve të lidhura me tradhtinë vijnë ngaqë e marrin vesh të tjerët. Ne i krijojmë mundësi kujtdo që dëshiron të ketë një lidhje, ta bëjë këtë pa rënë në sy,—pohon ai.—Tradhtinë nuk e shpikëm ne, vetëm sa e përsosëm.» Tani për tani, ky shërbim ka 6,4 milionë anëtarë.

Të lindur për të kërcyer?

«Njerëzit kanë aftësinë unike t’i bashkërendojnë lëvizjet e trupit me një stimul të jashtëm që u kap veshi, siç ndodh kur rrahim këmbën sipas muzikës ose kur kërcejmë»,—thuhet në një artikull të botuar nga studiuesit e universiteteve të Jorkut, Angli, dhe të Jyvaskylës, Finlandë. Studiuesit zbuluan se, që para se të mësonin të flitnin, foshnjat reagonin ndaj ritmit të muzikës dhe spontanisht mundoheshin të lëviznin sipas tij. Sa më të suksesshme të ishin përpjekjet, aq më gjatë u qeshte fytyra. Kjo tregon se ndjeshmërinë ndaj ritmit dhe dëshirën për të lëvizur sipas muzikës nuk i fitojmë me kohë, por na vijnë natyrshëm.