Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjellë të nxehta nga shtëpia në zyrë: Stili i Mumbait

Gjellë të nxehta nga shtëpia në zyrë: Stili i Mumbait

Gjellë të nxehta nga shtëpia në zyrë: Stili i Mumbait

NISESH nga shtëpia për në punë që në pesë të mëngjesit. Kur vjen dreka do të ta donte mideja një gjellë shtëpie me erëza, siç të pëlqen ty. Për mijëra punonjës në Mumbai të Indisë, kjo nuk është një ëndërr, falë dabaualasve, të cilët shpërndajnë gjellët nga shtëpitë. *

Nuhatin mundësinë

Aty nga fundi i shekullit të 19-të, Mumbai, që atëherë quhej Bombei, ishte një qendër tregtare në zhvillim ku biznesmenët britanikë dhe indianë bënin goxha rrugë për në zyrë. Transporti ishte i ngadaltë dhe restorantet ishin të rralla. Një drekë e gatuar në shtëpi ishte gjëja më e dëshiruar, prandaj paguanin një shërbëtor që t’ua sillte drekën nga shtëpia e tyre në zyrë. Duke nuhatur mundësinë e zhvillimit të një biznesi, një sipërmarrës largpamës mblodhi të rinj të papunë nga fshatrat dhe mori përsipër të transportonte rregullisht porositë nga shtëpia në zyrë. Nga ky fillim i vogël, lulëzoi një biznes i madh.

Dëshira për të ngrënë diçka të gatuar në shtëpi, ka mbetur po ajo. Kuptohet, tani ka më shumë restorante, por të hash nga shtëpia jote është akoma më ekonomike dhe më e parapëlqyer. Për më tepër, shumë njerëz kanë probleme shëndetësore dhe kanë nevojë që të mbajnë një dietë të veçantë. Të tjerë kanë kufizime fetare. Për shembull disa nuk i hanë qepët ose hudhrat. Shumë nga këta përbërës nuk mund t’i shmangësh në restorante, kështu që transportimi nga shtëpia në zyrë zgjidh problemin e dietës.

Shërbim më se i besueshëm

Sistemi relativisht i thjeshtë i shpërndarjes nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve, përveçse ka marrë përmasa më të mëdha. Sot, më shumë se 5.000 burra, si dhe disa gra, transportojnë drekën e më shumë se 200.000 vetave në ditë, nga shtëpitë e zonës së tyre në zyrat e shpërndara në këtë dyndje urbane prej mbi 20 milionë banorësh. Duke mbuluar një zonë me një rreze prej 60 kilometrash, disa dabauala ecin më këmbë​—duke transportuar ndoshta 30 ose 40 daba në karroca dore​—kurse të tjerë udhëtojnë me biçikleta ose me trenat e periferisë. Sidoqoftë, porosinë e duhur e çojnë te personi i duhur dhe në kohën e duhur. Në fakt, thuhet se mesatarisht ata gabojnë 1 në 6 milionë porosi. Si e arrijnë një përpikëri kaq të jashtëzakonshme?

Në vitin 1956, dabaualat u regjistruan si shoqatë bamirësie, me një komitet ekzekutiv dhe nëpunës të tjerë. Grupe punëtorësh, bashkë me një drejtues, funksionojnë si ente më vete. Megjithatë, të gjithë janë partnerë dhe aksionarë në organizatë​—dhe sipas tyre këtu qëndron çelësi i suksesit të kësaj pune. Në fakt nuk kanë pasur greva që kur e kanë filluar këtë shërbim më shumë se 100 vjet më parë.

Dabaualat mbajnë një kartë identiteti dhe dallohen kollaj nga këmishët e bardha, pantallonat e gjera dhe kësulat e bardha. Nëse nuk kanë vënë kësulën, janë vonë, mungojnë pa arsye të fortë ose kapen duke pirë alkool në orar të punës, rrezikojnë të gjobiten.

Rutina e përditshme

Në 8.30 të mëngjesit, dikush në shtëpinë e klientit, ndoshta gruaja e tij, e ka gatuar dhe e ka futur drekën e tij në një enë që e quajnë daba. Dabat kanë disa ndarje që vendosen njëra mbi tjetrën dhe puthiten me kapëse metalike. Dabauala mbledh disa daba nga një zonë, i vë mbi biçikletë ose karrocë dhe shpejton për te stacioni i trenit, ku takohet me grupin e tij. Atje i grupojnë enët sipas vendmbërritjes, ashtu si postierët që grupojnë letrat.

Mbi çdo daba ka një kod me ngjyra, shkronja e numra, që tregon adresën nga vjen ushqimi, stacionin më të afërt, stacionin e vendmbërritjes, emrin e ndërtesës dhe katin. Ato që duhen çuar në të njëjtën zonë i vendosin dhe i bashkojnë në struktura të gjata druri që mbajnë deri në 48 daba. Kur treni mbërrin, i ngarkojnë në një vagon të veçantë pas lokomotivës. Pastaj, kur treni mbërrin në një stacion kryesor, enët i ndajnë përsëri dhe i çojnë në stacionin ku duhet të shkojnë. Aty seleksionohen përsëri për t’i çuar së fundi me biçikletë ose karrocë te klienti.

Këto mënyra transportimi janë jo vetëm të efektshme, por edhe pa shumë shpenzime. Për më tepër një dabauala nuk bllokohet në trafik, sepse kalon me biçikletë në rrugica ose midis makinave. Si rezultat, ushqimi shkon në zyrën e duhur rreth orës 12.30 të drekës. Pastaj, midis orës 1.15 dhe 2.00, pasi dabauala i palodhur ka ngrënë drekë edhe vetë, bën edhe një xhiro tjetër për të mbledhur enët bosh e për t’i kthyer në shtëpinë e klientit, ku një nga familja i lan dhe i lë gati për të nesërmen. Nga fillimi në fund, e gjithë puna është mjaft e shpejtë dhe e efektshme, si një garë me stafetë.

Shërbim i përulur që merr mjaft lavdërime

Reputacioni i shkëlqyer i dabaualave nuk ka mbetur pa u vënë re. Organizata të ndryshme kanë analizuar sistemin e tyre të shpërndarjes, që ato që mësojnë prej tyre, t’i zbatojnë në fusha të tjera të biznesit. Janë bërë filma dokumentarë për dabaualat. Revista Forbes Global Magazine u ka dhënë çmimin Six Sigma për reputacionin e tyre gati të përsosur. Janë përmendur në Librin e rekordeve botërore Gines dhe janë bërë objekt studimi në Fakultetin e Biznesit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara. Madje i kanë vizituar edhe njerëz të shquar, si për shembull një princ britanik, të cilit i bëri kaq shumë përshtypje puna e tyre, sa i ftoi disa në dasmën e tij në Angli.

Sot dabaualat përdorin kompjuterë dhe celularë për të marrë porosi dhe për të mbajtur llogaritë. Por mënyra e shpërndarjes mbetet e njëjta. Kur afrohet orari i drekës, shumë punonjës të uritur të zyrave në Mumbai janë të sigurt se do ta kenë mbi tavolinë një gjellë të ngrohtë të gatuar në shtëpi​—dhe asnjë minutë me vonesë!

[Shënimi]

^ par. 2 Daba do të thotë «enë», kurse uala i referohet personit që bën transportin. Shqiptimi mund të ndryshojë.

[Figura në faqen 11]

Duke ngarkuar «dabat» në tren

[Figura në faqen 11]

Një «daba» ka disa ndarje të vendosura njëra mbi tjetrën që të mbahen dhe të transportohen lehtë

[Figura në faqen 12]

Shumë biznese kanë mësuar nga sistemi i efektshëm i shpërndarjes që përdorin «dabaualat»