Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lidhjet me synim martesën

Lidhjet me synim martesën

Pikëpamja e Biblës

Lidhjet me synim martesën

Julia dhe Luisi * po njiheshin dhe ishin të vendosur të mbeteshin të pastër moralisht. Mirëpo, një mbrëmje, kur ishin vetëm, ndjenjat seksuale nisën të bëheshin të forta. Fatmirësisht erdhën në vete para se të shkonin tepër larg dhe të bënin një gabim serioz.

ADHURIMI i vërtetë nuk nënkupton vetëm të ndjekësh çdo javë shërbesat fetare. Është mënyrë jetese që ndikon te sjellja dhe normat morale të njeriut. Jezu Krishti tha se vetëm ata që ‘bëjnë vullnetin’ e Perëndisë do të kenë miratimin e tij. (Mateu 7:21) Për t’i pëlqyer Perëndisë, duhet ta mbajmë të ndershme marrëdhënien me gjininë tjetër dhe të lidhemi me dikë vetëm me synimin për t’u martuar.

Si ta mbani lidhjen tuaj të pastër në sytë e Perëndisë, sidomos duke marrë parasysh presionin e jashtëzakonshëm që kanë çiftet për t’i hedhur tej kufizimet morale? Së pari, pranoni se normat e Perëndisë u vunë për të mirën tonë. Së dyti, pranoni dobësinë e natyrës njerëzore. Së treti, vendosni si çift kufij të qartë për sjelljen. Së katërti, mbani parasysh Perëndinë në lidhjen tuaj. Shqyrtojini një nga një këto pika.

Norma posaçërisht për të mirën tonë

Tek Isaia 48:17, 18 lexojmë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»

Po, urdhërimet dhe parimet që gjenden në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Biblën e Shenjtë, janë për të mirën tonë. (2 Timoteut 3:16, 17) Ato janë provë se Krijuesi ynë kujdeset vërtet për ne dhe dëshiron të jemi të lumtur e të suksesshëm në çdo fushë të jetës. (Psalmi 19:7-10) A e ndieni në zemër këtë? Nëse po, atëherë po tregoni mençuri të vërtetë.

Pranoni se mund të gaboni

Si mik i vërtetë, Jehovai është i ndershëm me ne; na tregon si jemi ne në të vërtetë. Për shembull, Fjala e tij na paralajmëron: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» (Jeremia 17:9) Gjithashtu Bibla thotë: «Kush i zë besë zemrës së vet, është budalla, por kush ecën me mençuri, do të shpëtojë.»—Proverbat 28:26.

Si mund të tregojë çifti që po njihet se i zënë besë zemrës? Një mënyrë është duke e lejuar veten të futen në rrethana ku mund të tundohen të bëhen tepër intimë, si çifti i përmendur më lart. Mënyrë tjetër është duke shpërfillur këshillat e mençura të prindërve që adhurojnë Perëndinë. Këta prindër e dinë se ndjenjat seksuale, sidomos në rini, mund të jenë një zjarr që duhet mbajtur mirë nën kontroll.

Prandaj, të rinjtë që ‘ecin me mençuri’ e marrin me seriozitet drejtimin e prindërve. Po, ata u vënë veshin këshillave të prindërve, të cilët i duan aq shumë saqë u thonë edhe gjëra që ndoshta djali a vajza nuk duan t’i dëgjojnë. Sigurisht, ai që ju do më shumë, është Ati juaj qiellor, Jehovai, i cili këshillon që ‘të largoni shqetësimin nga zemra dhe të mënjanoni të keqen nga mishi juaj’. (Eklisiastiu 11:9, 10) Si ta bëni këtë? Duke mos iu dorëzuar dëshirave të papërshtatshme.

Vendosni kufij të qartë për sjelljen

«Mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» (Proverbat 13:10) Që në fillimet e lidhjes, çiftet e mençura i zbatojnë këto fjalë. Ata bien dakord se deri ku do të shkojnë me shprehjet e përzemërsisë që janë të përshtatshme sipas Shkrimeve dhe u përmbahen me vendosmëri këtyre kufijve. Ta teprosh me shprehjet e përzemërsisë ose të jesh tepër i sigurt te vetja është si të ngasësh makinën pa kujdes. Është tepër vonë të marrësh vendime si të ngasësh makinën pa rrezikuar kur përplasesh.

Bibla thotë: «Mendjehollë është ai [ajo] që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Çifti mund të shmangë shumë të këqija, duke u njohur në shoqërinë e një grupi të mirë ose të një shoqëruesi të përshtatshëm. Pasojat e marrëzisë, teksa njihesh, mund të jenë ndërgjegjja e vrarë, mungesa e respektit për veten dhe personin tjetër, si dhe turpi për të gjithë ata që përfshihen, edhe për familjarët. Pra tregohuni të mençur; bini dakord të zbatoni normat sipas Shkrimeve dhe mos iu ndani atyre.

Bëjeni Jehovain pjesën kryesore të lidhjes

Martesa është si një litar tresh, ku filli kryesor është Jehovai. «Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh»,—thuhet tek Eklisiastiu 4:12. I njëjti parim mund të zbatohet edhe për çiftet që po njihen. Ata që duan të kenë bekimin e Perëndisë në lidhjen e tyre, e marrin atë kur individualisht qëndrojnë të lidhur ngushtë me Perëndinë. Te Psalmi 1:1-3 thuhet: «Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve, që nuk ndalet në udhën e mëkatarëve, . . . por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. . . . [Atij] i shkon mbarë çdo gjë që bën.»

Po, suksesi në jetë, përfshirë suksesin në një lidhje dhe në martesë, vjen kur i bëjmë gjërat sipas mënyrës që do Jehovai. Në fund të fundit, ai është Krijuesi ynë dhe tërheqja romantike e martesa janë dhurata prej tij. Si të tilla, meritojnë t’i trajtojmë me respektin më të madh.—Jakovi 1:17.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

A DONI TË DINI?

● Nga e dimë se Perëndia do më të mirën për ne?—Isaia 48:17, 18.

● Çfarë duhet të pranojmë për natyrën tonë njerëzore?—Jeremia 17:9.

● Cili është çelësi i suksesit në një lidhje dhe, më vonë, në martesë?—Psalmi 1:1-3.

[Figura në faqen 13]

Që në fillimet e lidhjes, çiftet e mençura bien dakord për shprehjet e përshtatshme të përzemërsisë sipas Shkrimeve dhe u përmbahen me vendosmëri këtyre kufijve