Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bashkim mahnitës nën dhe

Bashkim mahnitës nën dhe

A është projektuar?

Bashkim mahnitës nën dhe

▪ Nën dhe ka disa bimë e baktere që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Ky bashkim mahnitës bën të mundur jetën.

Shqyrtoni faktet: Azoti është jetik për rritjen dhe riprodhimin e bimëve. Por që të shfrytëzohet nga bima, ky gaz duhet fiksuar ose shndërruar në përbërje, si amoniaku. Bishtajoret e zgjidhin këtë problem duke bashkëpunuar ngushtë me një bakter të quajtur rizobium. Ky bashkim, nga i cili nxjerrin dobi dy organizma të ndryshëm, quhet simbiozë.

Me anë të një lënde kimike, bishtajoret tërheqin bakteret te rrënjët, dhe më pas bakteret hyjnë brenda. Ndonëse bakteret dhe bimët bëjnë pjesë në dy mbretëri krejt të ndryshme, revista Natural History thotë se ato punojnë tok «për të krijuar një organ që në thelb është i ri: një nyjë në rrënjë, plotësisht e aftë për të fiksuar azotin». Bakteret i futen punës brenda nyjës që shërben si punishtja dhe shtëpia e tyre e re. Vegla e tyre kryesore është një enzimë e veçantë, pra një lloj proteine, që quhet nitrogjenazë. Ato e përdorin enzimën për të fiksuar azotin që gjendet në xhepat e ajrit brenda dheut.

«E gjithë sasia e nitrogjenazës në planetin tonë . . . do të mbushte vetëm një kovë të madhe»,​—thuhet në revistën Natural History. Pra çdo molekulë ka mjaft vlerë. Por ka një problem: oksigjeni e shkatërron këtë enzimë. Cila është zgjidhja? Bishtajoret prodhojnë një lëndë të veçantë që e largon oksigjenin, i cili mund ta dëmtojë.

Një membranë që vesh nyjën, kontrollon shkëmbimin e amoniakut, sheqernave dhe lëndëve të tjera ushqyese mes bakterit dhe bimës. Si të gjitha bimët, edhe bishtajoret së fundi vdesin. Kur ndodh kjo, amoniaku mbetet në dhe. Prandaj, bishtajoret janë quajtur me të drejtë «plehu i gjelbër».

Si mendoni? A mund «të shpiknin» bakteret dhe bashkëpunëtoret e tyre, bimët, një sistem kaq mahnitës dhe jashtëzakonisht kompleks që bën të mundur jetën? Apo kjo është një provë tjetër se kemi të bëjmë me projektim?

[Figura në faqen 25]

Një nyjë në rrënjë

[Burimet e figurave në faqen 25]

Në sfond: © Wally Eberhart/​Visuals Unlimited; fotografia e vogël: © Dr. Jack M. Bostrack/​Visuals Unlimited