Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa tolerant është Perëndia?

Sa tolerant është Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

Sa tolerant është Perëndia?

«PERËNDIA, NDONËSE DUKE PASUR VULLNETIN QË TA SHFAQTE ZEMËRIMIN E VET E TA BËNTE TË NJOHUR FUQINË E TIJ, I TOLEROI ME SHUMË SHPIRTGJERËSI ENËT E ZEMËRIMIT QË ISHIN BËRË TË PËRSHTATSHME PËR SHKATËRRIM.»—ROMAKËVE 9:22.

GJATË gjithë historisë Perëndia e ka toleruar shumë të keqen dhe ligësinë e përhapur. Më shumë se 3.000 vjet më parë, Jobi vajtoi: «Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre. Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.» (Jobi 21:7-9) Dashurues të tjerë të drejtësisë, si profeti Jeremia, kanë shprehur, gjithashtu, shqetësim për sa i përket tolerancës në dukje të Perëndisë ndaj njerëzve të ligj.—Jeremia 12:1, 2.

Ju, çfarë mendoni? A habiteni që Perëndia e lejon ligësinë? A mendoni herë pas here se Perëndia duhet të nxitojë dhe të shkatërrojë të gjithë njerëzit e ligj menjëherë? Shqyrtoni çfarë thotë Bibla rreth kufijve të tolerancës së Perëndisë dhe rreth arsyeve për këtë.

Pse Perëndia është tolerant?

Së pari, duhet të pyesim: Pse Perëndia, i cili ka normat më të larta të drejtësisë, e toleron sadopak ligësinë? (Ligji i përtërirë 32:4; Habakuku 1:13) A do të thotë kjo që ai mbyll sytë para ligësisë? Aspak! Shqyrtoni ilustrimin e mëposhtëm: imagjinoni një kirurg që dhunon parimet bazë të higjienës dhe që u shkakton dhembje të madhe pacientëve të tij. Nëse ai do të punonte në një spital, a nuk do ta largonin menjëherë? Por, ka disa rrethana ku mund të kërkohet tolerancë e jashtëzakonshme. Në një rast urgjent ekstrem, për shembull, në një fushë beteje, a nuk do të ishte e nevojshme të tolerohej puna e kirurgëve në kushte primitive e të rrezikshme? A nuk do ishte e nevojshme të tolerohej ndoshta edhe përdorimi i pajisjeve dhe i mjeteve kirurgjikale të cilat në kushte normale do të konsideroheshin të një cilësie të dobët?

Në mënyrë të ngjashme, sot Perëndia po toleron me durim shumë gjëra që për të janë krejtësisht të papranueshme. Edhe pse e urren ligësinë, po e lejon të vazhdojë përkohësisht. Ka arsye të vlefshme që vepron në këtë mënyrë. Nga njëra anë kjo lejon që çështjet e rëndësishme të ngritura nga rebelimi i Satanait në kopshtin e Edenit, të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Këto janë çështje që lidhen ngushtë me drejtësinë e mënyrës së sundimit të Perëndisë dhe të drejtën e tij për të sunduar. Fakti që tregohet i duruar ndaj padrejtësisë u jep kohë dhe mundësi për të ndryshuar, atyre që janë të përfshirë në ligësi.

Një Perëndi i mëshirshëm dhe i duruar

Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u bashkuan në rebelimin e Satanait kundër Perëndisë. Perëndia me të drejtë mund t’i kishte shkatërruar që në atë çast. Në vend të kësaj, u tregua i mëshirshëm dhe i duruar, duke i lejuar me dashuri të kishin fëmijë. Por këta fëmijë dhe e gjithë familja njerëzore që erdhi prej tyre, u lindën në një gjendje mëkatare.—Romakëve 5:12; 8:20-22.

Perëndia vuri si qëllim të shpëtonte njeriun nga gjendja e mjerueshme. (Zanafilla 3:15) Por, ndërkohë, duke qenë se e kupton se si papërsosmëria e trashëguar nga Adami ndikon te ne, ai tregon mëshirë dhe durim të pamasë. (Psalmi 51:5; 103:13) Ai është «i bollshëm në dashamirësi» dhe i gatshëm ‘të falë bujarisht’.—Psalmi 86:5, 15, BR; Isaia 55:6, 7.

Kufijtë e tolerancës së Perëndisë

Sidoqoftë, do të ishte jo e dashur dhe e paarsyeshme për Perëndinë, ta lejonte keqbërjen të vazhdonte përgjithmonë. Asnjë baba i dashur nuk do të toleronte pafundësisht dhembjet e rënda, që një prej fëmijëve të tij qëllimisht vazhdon t’u shkaktojë anëtarëve të tjerë të familjes. Durimi i Perëndisë në tolerimin e mëkatit, si rrjedhim, do të baraspeshohet gjithmonë nga cilësi të tjera, si: dashuria, mençuria dhe drejtësia. (Eksodi 34:6, 7) Sapo qëllimi që qëndron pas shpirtgjerësisë së tij të jetë plotësuar, toleranca ndaj ligësisë do të përfundojë.—Romakëve 9:22.

Apostulli Pavël e tregoi qartë këtë. «Në brezat që shkuan»—tha ai në një rast,—«[Perëndia] i lejoi të gjitha kombet të vazhdonin udhët e tyre.» (Veprat 14:16) Në një rast tjetër, Pavli foli se si «Perëndia i ka mbyllur sytë para kohëve të një padijeje të tillë» nga ana e njerëzve që nuk u janë bindur ligjeve dhe parimeve të tij. «Tani,»—vazhdoi Pavli,—«[Perëndia] po i thotë njerëzisë që të gjithë kudo qofshin të pendohen.» Përse? «Sepse ai ka caktuar një ditë, në të cilën ka për qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar.»—Veprat 17:30, 31.

Nxirrni dobi tani nga toleranca e Perëndisë

Sigurisht, pra, asnjë nuk duhet të mendojë që mund t’i shpërfillë ligjet e Perëndisë dhe më pas, kur dëshiron të shpëtojë nga pasojat e veprimeve të tij, të kërkojë, pa u bërë shumë merak, falje nga Perëndia. (Jozueu 24:19) Shumë në Izraelin e lashtë mendonin se mund të bënin kështu. Ata nuk ndryshonin. E lanë pa përmbushur qëllimin për të cilin Perëndia tregonte tolerancë dhe durim. Perëndia nuk e toleroi ligësinë e tyre përgjithmonë.—Isaia 1:16-20.

Bibla tregon se për të shmangur gjykimin e fundit të Perëndisë një person duhet të ‘pendohet’, pra, të pranojë i penduar gjendjen e tij mëkatare dhe të papërsosur përpara Perëndisë dhe më pas të largohet me të vërtetë nga e keqja. (Veprat 3:19-21) Atëherë, në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit, Perëndia Jehova do të japë faljen. (Veprat 2:38; Efesianëve 1:6, 7) Në kohën e tij të caktuar ai do të zhbëjë të gjitha pasojat e hidhura të mëkatit adamik. Do të ketë «një qiell të ri dhe një tokë të re» ku ai nuk do të tolerojë më «praninë . . . e gjërave që kërkojnë me britma të shkatërrohen». (Zbulesa 21:1-5; Romakët 9:22, Phillips) Çfarë përfundim i mrekullueshëm i tolerancës së jashtëzakonshme, por jo pa kufi, nga ana e Perëndisë!

[Figura në faqen 23]

Perëndia e lejoi Adamin dhe Evën të kishin pasardhës