Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është normale të ndihesh kështu?

A është normale të ndihesh kështu?

NJË BURRË që ka humbur një njeri të dashur shkruan: «Qysh fëmijë në Angli, më kishin mësuar që të mos i shprehja ndjenjat në publik. Më kujtohet im atë, një ish-ushtarak, tek më thoshte me dhëmbë të shtrënguar, kur vritesha: ‘Mos qaj!’ Nuk mbaj mend kurrë që ime më të na ketë puthur apo përqafuar ne fëmijëve (ishim katër). Isha 56 vjeç kur pashë tim atë të vdiste. Ndjeva një humbje të tmerrshme. Megjithatë, fillimisht, nuk munda të qaja.»

Në disa kultura, njerëzit i shprehin hapur ndjenjat e tyre. Sido që të jenë, të lumtur apo të trishtuar, të tjerët e dinë se si ndihen. Nga ana tjetër, në disa pjesë të botës, sidomos në Evropën veriore dhe në Britani, njerëzve, veçanërisht burrave, u është diktuar që t’i fshehin ndjenjat, t’i shtypin emocionet, të rrinë të qetë dhe të mos i shprehin ndjenjat gjatë vështirësive. Por, a ka ndonjë gjë të keqe nëse e shpreh hidhërimin, kur vuan nga humbja e një njeriu tënd të dashur? Çfarë thotë Bibla?

Personazhe biblike që kanë qarë

Bibla u shkrua nga hebrenjtë e rajonit të Mesdheut lindor, të cilët ishin njerëz që shpreheshin. Mbreti David mbajti zi për humbjen e djalit të tij të vrarë, Amnonit. Në fakt, ai ‘qau me të madhe’. (2. Samuelit 13:28-39) Ai u hidhërua, madje, edhe nga humbja e birit të tij tradhtar, Absalomit, që ishte përpjekur të uzurponte mbretërinë. Tregimi biblik na thotë: «Atëherë mbreti [Davidi], duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: ‘O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!’» (2. Samuelit 18:33) Davidi u pikëllua si çdo baba normal. Dhe sa herë prindërit kanë dashur të vdesin në vend të fëmijëve të tyre! Duket kaq e pazakontë që një fëmijë të vdesë para një prindi!

Si reagoi Jezui kur vdiq miku i tij, Lazri? Qau pranë varrit të tij. (Gjoni 11:30-38) Më vonë, Marija Magdalena qau, ndërsa i afrohej varrit të Jezuit. (Gjoni 20:11-16) Është e vërtetë se një i krishterë që e kupton shpresën biblike të ringjalljes nuk hidhërohet pa ngushëllim, siç bëjnë disa që nuk kanë një bazë të qartë biblike për bindjet e tyre në lidhje me gjendjen e të vdekurve. Por duke qenë njeri me ndjenja normale, i krishteri i vërtetë, edhe pse me shpresën e ringjalljes, hidhërohet dhe mban zi për humbjen e një njeriu të dashur.​—1. Selanikasve 4:13, 14.

Të qash apo të mos qash

Por, ç’mund të themi për reagimet tona sot? A ndihesh në siklet apo a ndjen vështirësi të shprehësh ndjenjat e tua? Çfarë rekomandojnë ekspertët? Pikëpamjet e tyre moderne i mbajnë ison mençurisë së lashtë të Biblës. Ata thonë se duhet ta shprehim hidhërimin tonë, jo ta shtypim. Kjo na sjell ndër mend njerëzit besnikë të kohëve të lashta, të tillë si Jobi, Davidi dhe Jeremia, shprehjet e hidhërimit të të cilëve gjenden në Bibël. Ata sigurisht, nuk i ndrydhën ndjenjat e tyre. Prandaj, nuk është e mençur ta izolosh veten nga njerëzit. (Proverbat 18:1) Natyrisht, pikëllimi gjen shprehje të ndryshme në kultura të ndryshme, gjithashtu është edhe në varësi të bindjeve fetare mbizotëruese. *

Po sikur të të vijë për të qarë? Kjo është në vetë natyrën e njeriut. Kujto përsëri rastin e vdekjes së Lazrit, kur Jezui «psherëtiu në frymë dhe . . . qau.» Ai tregoi në këtë mënyrë se të qarët është një reagim normal kur të vdes një njeri i dashur.

Është normale të hidhërohesh e të qash kur të vdes një njeri i dashur

Këtë e mbështet edhe rasti i një nëne, Anës, e cila humbi foshnjën e saj, Rahilën, nga sindroma e vdekjes së papritur foshnjore. Burri i saj komenton: «Ajo që të habit është se as Ana dhe as unë nuk qamë gjatë funeralit. Të gjithë të tjerët qanin.» Kësaj, Ana i përgjigjet: «Po, por unë kisha qarë aq shumë, sa për të dy ne bashkë. Unë mendoj se goditja më e vërtetë më erdhi disa javë pas tragjedisë, kur një ditë isha krejt e vetme në shtëpi. Qava gjithë ditën. Por besoj se kjo më ndihmoi. U ndjeva më mirë. Unë duhej të mbaja zi për foshnjën time. Besoj me të vërtetë se duhet t’i lini të qajnë njerëzit e hidhëruar. Edhe pse për të tjerët është një reagim i natyrshëm kur thonë: ‘Mos qaj’, kjo në të vërtetë nuk të ndihmon.»

Si reagojnë disa

Si kanë reaguar disa që kanë vuajtur nga humbja e një njeriu të dashur? Për shembull, konsiderojmë Huanitën. Ajo e di ç’do të thotë të humbësh një foshnjë. Kishte pasur pesë dështime. Tani ishte përsëri shtatzënë. Prandaj, kur u detyrua të shtrohej në spital, pas një aksidenti me makinë, kuptohet se ishte e shqetësuar. Dy javë më vonë i filluan dhimbjet e parakohshme. Pak më vonë, lindi Vanesa e vogël: peshonte gati 0.9 kg. «Isha shumë e emocionuar,​—kujton Huanita.​—Më në fund u bëra nënë!»

Por lumturia e saj ishte jetëshkurtër. Katër ditë më pas, Vanesa vdiq. Huanita kujton: «Ndihesha kaq e zbrazur. Më ishte hequr e drejta për të qenë nënë. Ndihesha e cunguar. Sa e dhimbshme ishte kur vajta në shtëpi, në dhomën që kishim përgatitur për Vanesën dhe pashë këmishkat e vogla që kisha blerë për të. Gjatë dy muajve që pasuan, e rijetova ditën e lindjes së saj. Nuk doja të kisha të bëja fare me askënd.»

Një reagim ekstrem? Për disa, ndoshta mund të jetë e vështirë ta kuptojnë, por ato që e kanë provuar, si Huanita, shpjegojnë se janë hidhëruar për foshnjat e tyre, njësoj si edhe për dikë që do të kishte jetuar për disa kohë. Ato thonë se prindërit fillojnë ta duan fëmijën e tyre shumë kohë më parë se ai të lindë. Dhe me nënën ekziston një lidhje e veçantë. Me vdekjen e kësaj foshnjeje, nëna e ndien se ka humbur një njeri i vërtetë. Dhe këtë gjë duhet ta kuptojnë edhe të tjerët.

Si ndikon zemërimi dhe ndjenja e fajit

Një nënë tjetër shprehu ndjenjat e saj, kur i thanë se i biri gjashtëvjeçar kishte vdekur papritur, për shkak të një problemi të lindur në zemër. «Kalova përmes një sërë reagimesh: mpirje, mosbesim, ndjenjë faji dhe u zemërova me tim shoq dhe me doktorin, sepse nuk e kishin kuptuar se sa serioze kishte qenë gjendja e tij.»

Zemërimi mund të jetë një tjetër simptomë e hidhërimit. Mund të zemërohesh me doktorët dhe infermieret, duke menduar se duhej të ishin kujdesur më shumë për të ndjerin. Ose mund të zemërohesh me miqtë dhe të afërmit, që duket sikur flasin dhe veprojnë gabim. Disa zemërohen edhe me të vdekurin, pasi e kishte lënë pas dore shëndetin e tij. Stela kujton: «Më kujtohet se isha zemëruar me tim shoq, pasi e dija se punët mund të kishin shkuar ndryshe. Ai kishte qenë shumë i sëmurë, por nuk i kishte përfillur paralajmërimet e doktorëve.» Dhe disa herë mund të zemërohemi me të vdekurin, për shkak të barrës që sjell mbi të tjerët vdekja e tij apo e saj.

Disa ndihen fajtorë, ngaqë janë të zemëruar: d.m.th., ata mund ta dënojnë veten, për shkak se ndihen të zemëruar. Disa bëjnë me faj veten për vdekjen e të dashurit të tyre. «Nuk do të kishte vdekur,​—ia mbushin mendjen vetes,​—po ta kisha çuar më shpejt te doktori» ose «po ta kisha çuar te një doktor tjetër» ose «po ta kisha nxitur që të kujdesej më shumë për shëndetin».

Humbja e një fëmije është një traumë e tmerrshme: përkrahja e sinqertë dhe empatia mund t’i ndihmojnë prindërit

Për disa të tjerë, faji shkon më tej, sidomos nëse njeriu i tyre i dashur ka vdekur papritur e papandehur. Fillojnë e kujtojnë kohën kur kanë qenë të zemëruar me të ndjerin apo kur janë grindur me të. Ose mund të mendojnë se nuk kanë qenë plotësisht gjithçka që kanë dashur të jenë për të vdekurin.

Procesi i gjatë i hidhërimit të shumë nënave mbështet atë që shumë ekspertë thonë, se humbja e një fëmije lë një boshllëk të përhershëm në jetën e prindërve, veçanërisht tek nëna.

Kur të humbet bashkëshorti

Humbja e shokut të martesës është një tjetër lloj traume, sidomos nëse të dy kanë çuar një jetë shumë aktive së bashku. Ajo mund të nënkuptojë fundin e një mënyre të tërë jetese, udhëtimi, veprimi, zbavitjeje dhe varësie ndaj njëri-tjetrit.

Eunika shpjegon se çfarë ndodhi kur i shoqi i vdiq papritur nga një infarkt. «Gjatë javës së parë gjendesha e mpirë emocionalisht, sikur të kisha pushuar së funksionuari. Nuk mundja as të shijoja e as të nuhasja. Megjithatë, sensi im logjik vazhdonte në një mënyrë të palidhur. Pasi kisha qenë me tim shoq edhe kur po përpiqeshin ta stabilizonin, duke përdorur reanimacionin kardiopulmonar dhe disa ilaçe, nuk vuajta prej simptomës së zakonshme të mohimit. Megjithatë, kisha një ndjenjë të fortë zhgënjimi, sikur po shihja një makinë të shkonte teposhtë një shkëmbi dhe unë nuk mund të bëja asgjë për të.»

A qau ajo? «Natyrisht, sidomos kur lexova ato qindra letra ngushëllimi që kisha marrë. Qaja mbi çdonjërën prej tyre. Kjo më ndihmonte të përballoja pjesën tjetër të ditës. Por asgjë nuk mund të më ndihmonte kur më pyetnin vazhdimisht se si ndihesha. Patjetër që isha e mjerë.»

Çfarë e ndihmoi Eunikën të duronte hidhërimin e saj? «Pa e kuptuar dhe në mënyrë të pandërgjegjshme, mora vendimin që të vazhdoja të jetoja,​—thotë ajo.​—Megjithatë, ajo që më shkaktonte ende dhimbje ishte kur kujtoja se burri im, që e donte jetën aq shumë, nuk ishte më për ta gëzuar atë.»

«Mos lejo që të tjerët të të diktojnë . . .»

Shkrimtarët e një libri këshillojnë: «Mos lejo që të tjerët të të diktojnë se si duhet të veprosh apo të ndihesh. Procesi i hidhërimit vepron në mënyrë të ndryshme tek secili. Të tjerët mund të mendojnë​—dhe të bëjnë të ditur që mendojnë​—se po hidhërohesh shumë apo se nuk po hidhërohesh sa duhet. Fali dhe mos e vrit mendjen për këtë. Përpjekjet për ta detyruar veten që t’i përshtatesh një modeli sjelljeje të krijuar nga të tjerët apo nga shoqëria në përgjithësi, pengojnë përtëritjen e shëndetit tënd emocional.»​—Leavetaking-When and How to Say Goodbye.

Natyrisht, njerëz të ndryshëm e përballojnë hidhërimin e tyre në mënyra të ndryshme. Ne nuk po përpiqemi të sugjerojmë se njëra mënyrë është detyrimisht më e mirë se tjetra për çdo person. Megjithatë, rreziku lind kur futet amullia, kur personi i hidhëruar nuk është në gjendje të pranojë realitetin e gjendjes. Atëherë mund të jetë e nevojshme ndihma e miqve të dhembshur. Bibla thotë: «Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.» Pra, mos ki frikë për të kërkuar ndihmë, për të folur dhe për të qarë.​—Proverbat 17:17.

Hidhërimi është një reagim normal pas një humbjeje dhe nuk është e gabuar nëse të tjerët e vërejnë hidhërimin tënd. Por disa pyetje të tjera meritojnë përgjigje: «Si mund ta duroj hidhërimin? A është normale për të shprehur ndjenjat e fajit dhe zemërimit? Si duhet t’i trajtoj këto reagime? Ç’mund të më ndihmojë për të duruar humbjen dhe hidhërimin?» Pjesa vijuese do t’u përgjigjet këtyre dhe pyetjeve të tjera.

^ par. 8 Për shembull, popullsia yoruba në Nigeri ka një besim tradicional në ritrupëzimin e shpirtit. Prandaj, kur një nënë humb fëmijën, vetëm për një periudhë të shkurtër pllakos një hidhërim i madh, pasi një proverb yoruba thotë: «U derdh uji, por nuk u ça kungulli.» Sipas tyre, kjo do të thotë se kungulli që mban ujin, nëna, mund të ketë një fëmijë tjetër​—ndoshta një ritrupëzim i të vdekurit. Dëshmitarët e Jehovait nuk ndjekin asnjë nga traditat e bazuara në bestytnitë, të cilat rrjedhin nga idetë e rreme të shpirtit të pavdekshëm dhe të ritrupëzimit dhe që nuk kanë asnjë bazë biblike.​—Eklisiastiu 9:5, 10; Ezekieli 18:4, 20.