Galatasve 3:1-29

  • Veprat e Ligjit kundrejt besimit (1-14)

    • «I drejti do të jetojë falë besimit» (11)

  • Premtimi abrahamik nuk bazohet te Ligji (15-18)

    • Krishti, pasardhësi i Abrahamit (16)

  • Origjina dhe qëllimi i Ligjit (19-25)

  • «Bij të Perëndisë nëpërmjet besimit» (26-29)

    • Ata që i përkasin Krishtit, pasardhës të Abrahamit (29)

3  O galatas të pamend! Kush jua mori mendtë me ligësi?+ A nuk u përshkrua qartësisht para jush Krishti si i gozhduar në shtyllë?+  Vetëm këtë dua të di* nga ju: frymën* e morët falë veprave që kërkonte ligji apo falë besimit që treguat tek ajo që dëgjuat?+  Kaq të pamend jeni?! Pasi ndoqët fillimisht drejtimin e frymës së shenjtë,* tani në fund po ndiqni arsyetime njerëzore?!*+  A thua hoqët kaq shumë vuajtje më kot? S’e besoj se keni vuajtur më kot!  Ai që ju jep frymën dhe kryen vepra të fuqishme mes jush,+ a e bën këtë ngaqë bëni veprat e ligjit apo ngaqë tregoni besim tek ajo që dëgjuat?  A nuk është e vërtetë që Abrahami «tregoi besim te Jehovai,* dhe për këtë u konsiderua i drejtë»?!*+  Me siguri e dini se ata që kapen fort pas besimit, janë bij të Abrahamit.+  Tani, shumë kohë më parë, shkrimi tregoi se Perëndia do t’i shpallte të drejtë njerëzit e kombeve* nëpërmjet besimit, prandaj i shpalli paraprakisht këtë lajm të mirë Abrahamit: «Nëpërmjet teje do të bekohen të gjitha kombet.»+  Prandaj, ata që kapen fort pas besimit, po bekohen njësoj si Abrahami që kishte besim.+ 10  Të gjithë ata që mbështeten te veprat që kërkon ligji, janë nën mallkim, sepse është shkruar: «Mallkuar qoftë kushdo që nuk u bindet dhe nuk i zbaton gjithë gjërat e shkruara në rrotullën e Ligjit.»+ 11  Veç kësaj, është e qartë që nëpërmjet ligjit askush nuk shpallet i drejtë para Perëndisë,+ pasi «i drejti do të jetojë falë besimit».+ 12  Tani, Ligji nuk bazohet në besim. Përkundrazi, «kush i zbaton urdhërimet e tij, do të jetojë falë tyre».+ 13  Meqë na bleu,+ Krishti na çliroi+ nga mallkimi i Ligjit dhe u bë ai i mallkuar e jo ne, sepse është shkruar: «I mallkuar është çdo njeri i varur në shtyllë!»+ 14  Kjo ndodhi që bekimi i Abrahamit të vinte te kombet me anë të Jezu Krishtit+ dhe që ne të merrnim frymën e premtuar+ nëpërmjet besimit tonë. 15  Vëllezër, po marr një shembull nga jeta e njerëzve: kur një besëlidhje shpallet e vlefshme, ndonëse është besëlidhje e bërë nga njeriu, askush nuk e anulon dhe as i shton gjë. 16  Tani, premtimet iu thanë Abrahamit dhe pasardhësit* të tij.+ Nuk thuhet «dhe pasardhësve* të tu», sikur të ishin shumë, por thuhet «dhe pasardhësit* tënd», domethënë një të vetmi, që është Krishti.+ 17  Po ju them edhe këtë: Ligji që erdhi në jetë 430 vjet më vonë,+ nuk e zhvleftëson besëlidhjen e mëparshme të Perëndisë dhe nuk e shfuqizon premtimin. 18  Faktikisht, nëse trashëgimia jepet në bazë të ligjit, nuk jepet më në bazë të një premtimi; mirëpo Perëndia ia ka dhënë përzemërsisht trashëgiminë Abrahamit nëpërmjet një premtimi.+ 19  Pse duhej Ligji, atëherë? Ai u shtua për të bërë të qarta shkeljet,*+ derisa të vinte pasardhësi,*+ të cilit i ishte bërë premtimi, dhe u përcoll me anë të engjëjve+ nga dora e një ndërmjetësi.+ 20  Por nuk ka ndërmjetës kur ka vetëm një palë, dhe Perëndia është e vetmja palë. 21  A është, pra, Ligji kundër premtimeve të Perëndisë? Patjetër që jo! Se po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të vinte në të vërtetë nëpërmjet ligjit. 22  Por Shkrimi e dorëzoi çdo gjë nën kontrollin e mëkatit, që premtimi i bazuar në besimin te Jezu Krishti, t’u jepej atyre që tregojnë besim. 23  Megjithatë, para se të vinte besimi, ishim nën ruajtjen e Ligjit, të dorëzuar nën kontrollin e tij, me sytë nga besimi që do të zbulohej.+ 24  Kështu, Ligji u bë kujdestari* ynë dhe na çoi te Krishti,+ që të shpallemi të drejtë nëpërmjet besimit.+ 25  Mirëpo, tani që besimi ka ardhur,+ nuk jemi më nën një kujdestar.*+ 26  Të gjithë ju jeni, në të vërtetë, bij të Perëndisë+ nëpërmjet besimit tuaj te Krishti Jezu,+ 27  sepse të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, keni veshur* Krishtin.+ 28  Nuk ka as jude e as grek,+ as skllav e as të lirë,+ as mashkull e as femër,+ sepse ju jeni të gjithë një në unitet me Krishtin Jezu.+ 29  Për më tepër, nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet pasardhës* të Abrahamit,+ trashëgimtarë+ sipas një premtimi.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «të mësoj».
Ose «frymën e shenjtë».
Fjalë për fjalë «u nisët në frymë».
Fjalë për fjalë «po përfundoni në mish?!» Shih Fjalorthin.
Ose «dhe kjo iu llogarit si drejtësi?!» Domethënë, u konsiderua i drejtë në kuptimin relativ.
Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farërave».
Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «fara». Shih Ga 3:16.
Ose «edukatori».
Ose «edukator».
Ose «keni imituar».
Fjalë për fjalë «farë». Shih Ga 3:16.